91% e shqiptarëve pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Fondacioni për Shoqërinë e hapur në Shqipëri, publikuan studimin më të fundit të titulluar “Studimi kombëtar mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë – Perceptime dhe Realitete” Studimi i kryer gjatë periudhës Maj – Tetor 2014 u krye për të matur perceptimin që kanë qytetarët shqiptarë mbi BE-në, kanalet e infromimit mbi BE-në, njohuritë mbi BE-në dhe pritshmëritë e qytetarëve në të ardhmen. Gjithashtu pjesë e studimit ishte edhe matja e perceptimit të korrupsionit nga qytetarët shqiptarë.
Një nga gjetjet kryesore të këtij studimi ishte se nëse nesër do të zhvillohej një referendum mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE, 91% e shqiptarëve do të votonin pro.
Ndërkohë sektorët që shqiptarët mendojnë se do të përmirësohen më tepër nga aderimi në BE janë arsimi, ekonomia, mjedisi, eksporti produkteve dhe mirëqeverisja.
53% e shqiptarëve mendojnë se vendi është gati t’i bashkohet BE, ndërsa 69% shprehen se BE duhet të na pranojë si anëtar, megjithëse Shqipëria nuk është ende gati.
Ndërkohë sa i përket pritshmërive për të ardhmen, problemet kryesore me të cilat po përballen shqiptarët sot janë papunësia 45%, krimi 31%, gjendja ekonomike e vendit 30%. Por 71% e shqiptarëve presin që gjendja eknomike e vendit të jetë më e mirë në 12 muajt e ardhshëm. Kjo është shifra më e lartë në Europë duke lënë pas nivelet e optimizimit në disa shtete të tjera.
Ndërsa, sa i takon perceptimit për korrupsionin, 87% e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është më i përhapur se në vendet e tjera europiane. Ndërsa 92% mendojnë se korrupsioni është problemi kryesor i vendit.
Prezantimi i rezultateve të botimit të këtij studimi, u ndoq nga një mumër i madh përfaqësuesish të Ambasadave të vendeve anëtare të BE –së në Shqipëri dhe përfaqësues të Institucioneve Shqiptare. Gjithashtu të ftuarit në panel zhvilluan një sesion pyetje – përgjigje me të pranishmit.
/ATSH