Hapa dollapa/Kush u rras i pari?
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2022/12/320537369_533658832140134_2208625170544609366_n.jpg)
Nga: Vivian Mançellari
Në këtë pasdite fundjave, pastruam ca aktivitete nga agjenda jonë e ngjeshur LGBT+, për të shprehur suportin ndaj artistëve të rinj, shumë premtues të këtij vendi. I përzgjedhuri ynë na e bëri borxh këtë qokë në fakt, sepse i fali vëmendje Zhaklin Lekatarit dhe një shkrimi të publikuar nga Historia Ime pak ditë më parë… e për këtë i jemi mirënjohës! Ndonëse djaloshi i përket asaj kategorie të audiencës të cilët lexojnë vetëm titullin e një shkrimi, në një tentativë për ta parë gotën gjysmë plot, le t’i gëzohemi faktit që rinia lexon!
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, në moderimin e gazetarit të nderuar Flavio Qarri, ishte komediani Uljad Bërdica. I riu, i ndikuar për nga stili i humorit nga emrat më të mëdhenj të komedisë, u shpreh se kur bëhet fjalë për të përzgjedhur temat, ai sheh cila është gjëja më e lehtë për të bërë komedi.
Thënë kjo, logjika të çon se mënyra më e lehtë për të gajasur audiencën shqipfolëse, do të ishte seksizmi dhe homofobia, njëjtë siç bënin idhujt e të riut në setet e tyre të fillimviteve 2000. Por gjenialiteti i këtij komediani nuk përfundon me përzgjedhjen e temave. Ai gjen edhe vend për të bërë kuvend!
Mor Uljad, ç’e pate fat!
Në njërin krah Qarrin, në tjetrin Doktorin a.k.a Gent Pjetrin, komediani i ri u gjend si veshka mes dhjamrave gjatë setit të tij.
Madje u gjend kaq mirë aty pa iu dashur të mendojë shumë për të shkruar batuta të mprehta; pse ta bënte fundja, kush do t’ia kuptonte?
Teksa treshja simpatike qeshnin e lodronin në studio, ekstaza u arrit me një telefonatë nga një ndjekës. E kështu, ata u bënë 4, ose 400… duke iu bashkuar mesazhit se është OK të qeshësh me këto “gjëra”, edhe shumë ndjekës të këtij emisioni mëngjesi.
Për gjithë ç’u tha gjatë këtij segmenti të emisionit, mund të arrijmë në këtë deduksion:
Vazhdon të jetë ekstremisht e lehtë të bësh për të qeshur dy burra, me batuta përdhosëse maskiliste, seksiste, me humor që diskriminon një komunitet të tërë dhe i jep të drejtë të mendojnë se s’duhet të dalin kurrë nga “dollapi”.
Me frazën e artë të gazetarisë, ‘Mediumi është mesazhi’, Marshall McLuhan na udhëzon t’i kthejmë sytë plot shpresë nga media, për të gjetur aty mesazhe me vlerë. Por është pikërisht kjo e fundit e cila jo rrallëherë, kthehet në një qebaptore të rëndomtë ku tallen paturpsisht “ato femrat” dhe “ata gayt”.
Suksese të mëtejshme Uljad, me miq të mirë si Qarri dhe Doktori përherë krah teje! Faleminderit!
A.Sh.