Katër gratë kongresiste; përkatësisht përfaqësuesja muslimane Ilhan Omar nga Minesota, porto-rikanja Alexandria Ocasio-Cortez nga New York, Rashida Tlaib nga Michigan dhe Ayanna Pressley nga Massachusetts, kanë rifituar vendet e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.
Të njohura ndryshe si “skuadra: e Kongresit, gratë e zgjedhura për herë të dytë, vijnë nga rradhët e Partisë Demokratike dhe janë shpesh herë në vëmendje të mediave dhe aktualitetit politik amerikan për qëndrimet e tyre të përbashkuara progresiste, pro emigrantëve dhe në mbrojtje të grupeve të margjinalizuar.
Që kur morën detyrën në janar 2019, kongresistet me ngjyrë, kanë elektrizuar bazën progresive në Partinë Demokratike, falë qëndrimeve të tyre, prezencës në mediat sociale, por gjithashtu kanë krijuar dhe polemika, veçanërisht për kritikat e tyre ndaj marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Izraelin.

Përsa i përket garës presidenciale, pritet ende numërimi i votave të dërguara me postë, të cilat mund të konsolidojnë më tej përparësinë e kandidatit demokrat Joe Biden, ose të përmbysin rezultatin në favor të presidentit aktual Donald Trump.
Në këto zgjedhje, E gjithë Dhoma e Përfaqësuesve dhe 1/3 e vendeve të Senatit Amerikan ishte në kandidim. Sipas rezultateve paraprake, Republikanët pritet të mbajnë sërish dhomën e sipërme të Senatit në kontroll, ndërsa Demokratët kanë mazhorancën në dhomën e ulët të përfaqësuesve.
