Zëri hipnotik i Christine Salem-it në “FemArt”
Aktivitete për të drejtat dhe liritë, nxitje e debateve duke ndikuar dukshëm tek shoqëria për tematika të ndryshme, për të katërtën herë me radhë vijnë përmes festivalit të vetëm feminist në Kosovë “FemArt”.
Sivjet festivali do të mbahet nga 25 deri më 31 maj, me të njëjtin qëllim, promovimin e të drejtave të njeriut dhe predikimin e fuqizimit të gruas.
Koordinatorja e festivalit “FemArt”, Oda Haliti, ka thënë për “Zërin” se janë të kënaqura me organizimin që është arritur deri më tani. Sipas saj, ka ende shumë punë për t’u bërë. Ajo ka treguar se si çdo vit tjetër edhe ky edicion është i mbuluar me shumë risi. “Në këtë edicion të ‘FemArt’-it për herë të parë në Kosovë vjen një këngëtare afrikane e njohur botërisht nga Reunion Island, Oqeani Indian – Christine Salem me bendin e vet”, ka thënë Haliti, duke shtuar se këngëtarja është në tour nëpër Evropë. “Do ta kemi nderin ta kemi në festivalin tonë me një koncert të veçantë për të”, është shprehur Haliti.
Christine Salem njihet për muzikën e veçantë siç është ajo “Maloya”. “Melodi të rrezikshme që zgjojnë shpirtrat, sfidojnë autoritetet – që do të thotë se performancat e saj janë kryesisht kontroverse dhe gjithmonë hapin shumë diskutim”, është shprehur Haliti, duke thënë se muzika e Salem-it është e jashtëzakonshme dhe bindëse. “Sepse buron nga thellësia dhe ndjeshmëria e saj me jehonat e Nina Simone-s, një anë e zemëruar, e ankuar duke brohoritur me zërin e saj kryekëput hipnotik e rezulton me çlirim të përcjellë me gëzim”, ka thënë Oda Haliti, duke cekur se Christine Salem me tingujt e muzikës së saj “World Music” do jetë pika nënvizuese kryesore e “FemArt”-it në këtë edicion.
“Jemi krenare që do të kemi mundësi që qytetit të Prishtinës t’i dhurojmë një koncert të rrallë e të veçantë siç do të jetë ky”, ka thënë koordinatorja, sipas së cilës në këtë edicion do të jetë premierë filmi i suksesshëm ndërkombëtarisht “Bota” me regji të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit. “Ky edicion përveç programit, pjesëmarrësve, këtë vit do të krijojë dhe Zinën e vet. Zina do të përmbajë të gjitha blogjet, të cilat do të shkruhen nga Hana Marku – shkrimtare/lektore, blogere e jona për festivalin. Zina e festivalit do të dhurohet falas për audiencën e gjerë”, është shprehur Haliti. Për sa i përket pjesëmarrjes së artistëve, Oda Haliti ka thënë se interesimi është shumë i madh. “Që nga përmbyllja e edicionit të kaluar kemi marrë vazhdimisht aplikime”, ka thënë Haliti.
Sipas saj, gjithë programi i festivalit krijohet nga aplikimet të cilat përzgjidhen duke ju përgjigjur konceptit të festivalit, i cili është promovimi i të drejtave të njeriut. “Dhe kjo formë e bën festivalin tonë të ketë diversitet dhe një audiencë më të gjerë”, është shprehur Haliti, duke treguar se nga edicioni i parë “FemArt” ka krijuar bashkëpunim të ngushtë me artistë, aktivistë të ndryshëm të rajonit. “Ka filluar si festival i parë feminist rajonal, por vitet e fundit ka filluar të rritet dukshëm me pjesëmarrje të artistëve të vendeve edhe nga Amerika dhe Evropa”, është shprehur Haliti, sipas së cilës në këtë edicion do të ketë promovime të librit, shfaqje, filma, filma të shkurtër, dokumentarë, lexime skenike, performanca, koncerte, ekspozita, panele diskutimi dhe punëtori të ndryshme.
Oda Haliti ka thënë se deri më tani kanë siguruar 60 për qind të fondeve nga donatorë të ndryshëm. “Ende jemi në proces të aplikimit dhe kërkimit të fondeve të tjera, si dhe Ministria e Kulturës ka dhënë shumë simbolike prej 4 mijë eurosh, që është e njëjta mbështetje si vitin e kaluar”, ka treguar Haliti sipas së cilës kanë shpresuar që këtë vit do t’i përkrahin më shumë. “Një festival i formatit të tillë duhet të mbështetet patjetër çdo vit më shumë. Vjet kishim 34 aktivitete në program për 6 ditë. Këtë vit jemi duke marrë aplikacione pa fund e fatkeqësisht jo të gjitha do të munden të pranohen me buxhetin që kemi siguruar deri më tani”, është shprehur Haliti.
Për Oda Halitin, arritje e festivalit është profili i veçantë i tij, duke mos u lëkundur asnjëherë nga koncepti, qëllimi i tij kryesor që t’i ngrejë temat, të cilat janë problematike për shoqërinë tonë. “Për ngritjen e vetëdijes kolektive për të drejtat e njeriut, të nxitë debate vazhdimisht dhe të ndikojë dukshëm tek shoqëria jonë për shumë tematika të ndryshme të cilat çdo vit diskutohen dhe zhvillohen”, ka thënë Haliti, sipas së cilës festivali në dy vjetët e fundit ka arritur audiencë mbi 2 mijë veta publik. “I pari festival feminist në Kosovë të arrijë publik aq të madh dëshmon një ndryshim të madh të vetëdijes shoqërore dhe sukses në vendin tonë”, është shprehur ajo, duke cekur se asnjëherë nuk është pak të ketë aktivitete, të cilat të edukojnë për të drejtat, liritë, si të pranosh tjetrin dhe veten ashtu siç je pa paragjykime, pa gjykime. “Të njohësh veten, të duash punën të cilën e bën, të jesh i hapur me të gjithë dhe asgjë e askush të mos të ndalojë të bësh atë që do për arsye se je grua dhe nuk mundesh”, ka thënë Haliti, duke shtuar se festivali predikon fuqizimin e gruas. “Dhe këtë më së miri e dëshmon me pjesëmarrjen e mbi 100 artisteve/aktivisteve, të cilat çdo vit marrin pjesë me punën e tyre”, është shprehur Oda Haliti./A.A.