Vrasja makabër e gjyqtares Fildes Hafizi, shoqëria civile proteston
Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan dje kundër rasteve të dhunës në familje me pasojë vrasjen e grave nisur nga vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi por dhe i shumë grave të tjera viktima të dhunës në familje. Protesta nisi përpara Ministrisë së Drejtësisë ku protestuesit hodhën bojë të kuqe në fasadën e ministrisë në shenjë proteste për një mbrojtje ligjore më adekuate për gratë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Vrasja e gjyqtares Fildes Hafizit nga ish-bashkëshorti i saj iu shtua listës së krimeve makabër të kryera ndaj grave shqiptare, viktima të dhunës sistematike psikologjike dhe fizike. Vrasja ndodhi në zonën e “Xhamllikut” në mesditën e 31 Gushtit ku e ndjera u qëllua me dy plumba në kokë nga ish-bashkëshorti i saj. Edhe pse vrasja troditi mbarë opinionin publik, faktet tregojnë se gjyqtarja jetonte me frikën nga vrasja prej kohësh. Në Maj të 2015 Fildes Hafizi u divorcua nga ish-bashkëshorti. Situata në familjen e tyre ishte e rënduar mjaftueshëm aq sa të kërkohej një urdhër mbrojtje gjatë divorcit. Episodi i radhës regjistrohet në Korrik, dy muaj pas divorcit ku Fadil Kasemi (autori i vrasjes) tenton ta vrasë ish-grua e tij në plazhin e Golemit.
Ngjarja çoi në arrestimin dhe dënimin me akuzën “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje” , por asnjëherë nuk u regjistrua si “tentativë vrasjeje” duke lënë të nënkuptuar vakumin ligjor në trajtimin e dhunës ndaj grave, për më tepër kur viktima në fjalë është vetë pjesë e këtij sistemi ligjor. Dënimi i tij u përcaktua me vetëm tre vite burgim. I liruar në Janar të 2017 duke përfituar nga amnistia, Fadil Kasemi ri-tenton të vrasë ish-gruan duke sjellë vdekjen e menjëhershme.
“Vetëm në vitin 2016 pati 3758 raste dhune ne familje, 1991 me urdhra mbrojtje. Por e përditshmja dëshmon se këto urdhra mbrojtjeje nuk parandalojnë asgjë. E vërteta është se drejtësia ka dështuar të mbrojë gratë, ka dështuar të mbrojë nënat, ka dështuar t’i sigurojë vajzave një jetë të sigurt”, tha Ivana Dervishi, organizatore e protestës.
Në njoftimin për shtyp, protestuesit erdhën me disa kërkesa specifike për prokurorinë:
- Policia dhe prokuroria të marrë seriozisht çështjet e dhunës në familje, duke mos e konsideruar atë çështje private të një burri dhe një gruaje.
- Rritjen e dënimit minimal nga 6 muaj ne 3 vjet dhe ashpërsim të dënimit maksimal për dhunën në familje.
- Gjykata të përshpejtojë procedimin ndaj raste të dhunës në familje dhe të mos pranojë rrethana lehtësuese.
- Të mos amnistohet në asnjë rast një i dënuar për dhunë në familje.
- Ndihmë të vazhdueshme nga shtetit të viktimave të dhunës.
Protesta e djeshme do të pasohet me një marshim ditën e nesërme si një manifestim kundër dhunës në familje dhe vrasjes së grave. Marshimi do të mbahet në orën 6 në shesh ku një sërë organizatash nga shoqëria civile për lobimin e të drejtave të Gruas (dhe jo vetëm) bashkë-organizojnë këtë manifestim./k.m/
Foto: Loreta Cuka | Reporter.al