Virgjëresha e përbetuar: nga dlirësia e premtuar te rizbulimi i seksualitetit
Pas pjesëmarrjes nëpër festivale ndërkombëtare si Berlin International Film Festival dhe Tribeca FIlm Festival, Virgjëresha e Përbetuar e regjisores Laura Bispuri u shfaq premirë në PriFilmFest në Prishtinë të shtunën me 9 maj. I bazuar në romanin e Elvira Dones me të njëjtin titull, filmi eksploron zgjimin seksual të ‘virgjëreshës së përbetuar’ Hana Doda (të luajtur prej Alba Rohrwacher), deri sa ajo zotohet të jetojë e pamartuar, si burrë i quajtur Mark.
Me, Bjeshkët e Nemuna të Shqipërisë të vjetra e të ashpra në prapavi – që përmbajnë zakone edhe më të ashpra – menjëherë dalluam tiparet femërore në teshat e Markut, duke pirë cigare e raki. Por audienca në Prishtinë nuk ishte e hutuar. Të familiarizuar me zakonet e vendet malore të Shqipërisë, ata menjëherë e kuptuan se ky person ishte virgjëreshë e përbetuar; grua që e përvetëson rolin gjinor të burrit.
Në Kanun – rregullat dhe normat shoqërore e të cilit ende kanë ndikim në disa rajone, veçanërisht në Shqipërinë e largët veriore – rolet gjinore janë të ngurta dhe specifike. Sipas Kanunit, roli i gruas është shumë i kufizuar: Ato duhet të kujdesen për fëmijët dhe shtëpinë. Jeta e një gruaje vlenë sa gjysma e jetës së një burri. Ajo nuk i gëzon të drejtat e njejta; familja e saj vendos kë ajo duhet ta martojë dhe të bijat nuk lejohet të trashëgojnë pronën e familjës së tyre sepse konsiderohen t’i ‘përkasin’ bashkëshortëve të tyre, si pronë. Në thelb, gruaja nuk gëzon të drejtën e zgjedhjes. Ato janë të lidhura me zgjedhjet që bëhen për to, së pari prej baballarëve të tyre, dhe më vonë prej bashkëshortëve. Megjithatë, virgjëreshat e përbetuara tradicionalisht kanë arritur të kalojnë këtë vijë dhe të ‘kalojnë’ në role mashkullore, duke u zotuar për virgjëri, duke adoptuar një emër burri dhe veshur tesha të burrave.
Ky fenomen ka intriguar të huajt për shekuj. Poeti anglez, Lord Bajroni, u fascinua me këtë koncept, që është gjithashtu inspirimi pas historisë së shkurtër ‘Virgjëresha Shqiptare’, të autores nobeliste kanadeze, Alice Munro. Udhëtarja angleze, Edith Durham, thuhet të ketë përfituar prej këtij zakoni kur kaloi në zonat malore shqiptare. Duke veshur tesha të burrave, ajo kaloi e papenguar, edhe pse ishte udhëtare e vetmuar.
Në fabulën e Bispurit, ekziston një ndryshim i rëndësishëm: Virgjëresha e përbetuar vendosi të thyejë betimin për ta rikthyer identitetin e saj fillestar. Filmi kalon nëpër dy rrëfime paralele; udhëtimin e Hanës për t’u bërë virgjëreshë e përbetuar, e quajtur Mark në Bjeshkët e Nemuna patriarkale përgjatë kufirit kosovaro-shqiptar, dhe udhëtimin e Hanës/Markut në Italinë moderne ku ajo fillon të rizbulojë anën e saj femërore. Forca lëvizëse pas zgjedhjeve të protagonistes kryesore është nocioni i ‘lirisë’. Megjithatë, në malet e largëta, Hana mund të fitojë lirinë e një burri vetëm nëse përherë heq dorë nga femiteti i saj.
Pak kohë pasi që adoptohet nga një i afërt i saj, Hana përballet me rregullat strikte që janë të parashkruara për gra. Ajo nuk mund të kalërojë, nuk mund të shëtisë nëpër fshat e vetme, sepse kjo do t’i ‘çnderonte’ familjen e saj. Pasi sheh një nuse në fshat, ajo e pyet babain e saj birësues se pse fytyra e nuses është e mbuluar aq shumë. “Në mënyrë që të mos e gjejë kurrë rrugën për në shtëpi”, përgjigjet ai.
Bjeshkët e Nemuna janë vend i tmerrshëm për gra. Hana e re mëson se grave nuk iu lejohet të pinë duhan, të prekin pushkë, të zgjedhin burrë, ta shikojnë shtrembër një burrë, ose të shëtisin pa u shoqëruar nga një burrë; iu ndalohet pëlqimi i një burri, nëse ai nuk i pëlqen ato i pari. Një ditë, babai birësues ia tregon Hanës një plumb, mënyrë tradicionale shqiptare për ta njohtuar vajzën se ka ardhur koha që të martohet. Plumbi është dhuratë që i ipet burrit nga gruaja e tij për martesë; po t’i mos plotësojë pritjet e burrit të saj, do të përdoret për të.
Braktisja e femërisë së saj është mënyra e vetme që Hana mund të fitojë lirinë e një mashkulli dhe të vrapojë e lirë nëpër majat e maleve. Hana i pret flokët dhe në mënyrë ceremoniale bën zotimin para burrave të fshatit: “Zotohem të mbes e virgjër përjetë, siç më ka krijuar Zoti, ashtu edhe do të më marrë”. Hana bëhet burrneshë dhe e ndërron emrin në Mark. Babai birësues i saj shkrep pushkën, duke i lajmëruar fshatit se kjo familje tani ka një bir.
Zgjimi i Hanës ndodh vetëm kur t’i ikë Kanunit dhe maleve dhe shkon te shtëpia e motrës së vet së tjetërsuar, Lila, në Milano. Siç u josh nga liria e ofruar prej burrave në malet e largëta, Hana mahnitet me stilin e papenguar të jetës në Milano. Megjithatë, procesi i rizbulimit të vetes është gradual dhe delikat. Ajo vazhdon ta lidhë gjoksin me fasha, dhe i ruan manerizmat e burrave. Me kalimin e kohës, ngjarjet e ndryshme e bëjnë Hanën më kureshtare për feminitetin saj. Duke shoqëruar të bijën e Lilës në mësime të notit, ajo shtron pyetje për trupin e mashkullit dhe fillon t’i hulumtojë të brendshmet e grave nëpër dyqane, si dhe i shikon me hutim vajzat e veshura me taka të larta. Prej një gruaje të ngurtë, e veshur me tesha të meshkujve, Hana bëhet më e hapur ndaj eksplorimit të feminitetit dhe seksualitetit të saj, së fundi duke humbur virgjërinë e saj.
Megjithatë, ndoshta është përshtatshëm se filmi përfundon pa zbuluar nëse Hana, tani e ekspozuar ndaj botës, do të përvetësojë krejtësisht natyrën e saj femërore, apo do të mbetet ende si Marku. Si duket Bispuri deshi që Hana/Marku të gjejnë një ekuilibër në mes të dy identiteteve.
Marrë nga: www.kosovotwopointzero.com