Viktimat e dhunës seksuale, përcaktohet rregullorja e procedurave për njohjen e statusit
Në mbledhjen e katërt të Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të mërkurën është prezantuar projektrregullorja për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të të mbijetuarave.
Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës tha: “Unë jam e bindur dhe pres nga qeveria e vendit, të marrë sa më parë vendimet e nevojshme, që do t’i hapin rrugën formimit të komisionit qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ashtu siç e parashikon edhe ligji. Në bazë të akteve nënligjore, të fillojë gjithashtu procesi i verifikimit dhe marrjes së përfitimeve nga ana e të mbijetuarve, duke përmbushur kështu edhe këtë detyrim institucional, që kemi marrë ne dhe që kemi ndaj tyre”.
“Jemi të zotuar se, të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë, të cilat rrjedhin nga ligji që trajton këtë kategori, do t’i trajtojmë me prioritet, si në punësim, aftësim, riaftësim dhe në të gjitha projektet e skemat, në të cilat ne menaxhojmë si institucione”, tha Arban Abrashi, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ministria e Drejtësisë ka formuar një grup pune për përpilimin e planit të veprimit, për të sjellë drejtësi për të mbijetuarit, por problematik mbetet bashkëpunimi me Serbinë.
Këtë arritje ambasador i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Connell e vlerësoi duke thënë: “Një arritje shumë e madhe në këtë mes është njohja ligjore e viktimave të dhunës seksuale. Kjo u mundëson atyre të kenë mbështetje shtetërore për pension, fuqizim ekonomik dhe qasje në kujdesin shëndetësor, në njërën anë, kurse në anën tjetër, ato ndihen se nuk janë më vetëm, dhe se tani edhe shteti po njeh dhimbjen dhe vuajtjen e tyre. Por, meritë kanë edhe të tjerët, ndaj dhe tani të gjithë bashkë do të kërkojmë, që autorët e krimit të dalin para ligjit”.
Gjatë mbledhjes u prezantua edhe formulari i aplikimt për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe u bë e ditur se, gjatë muajit korrik, projektrregullorja do të paraqitet për miratim në Qeverinë e Kosovës. Ndërsa procesi i aplikimit parashikohet të fillojë në tremujorin e fundit të vitit./A.A./
/Top Channel