Viktima e përdhunimit martesor, mund të dënohet me vdekje në Sudan
Një vajzë e re sudaneze e cila qëlloi me thikë duke e vrarë bashkëshortin e saj, pasi ai e kishte përdhunuar, mund të dënohet me vdekje. Aktivistë në Sudan e më gjerë po mundohen ti shpëtojnë jetën.
Në 29 Prill, një gjykatës i qytetit të Omdurmanit, shpalli 19 vjeçaren Noura Hussein fajtore për vrasjen e të shoqit. Ajo u akuzua për vrasje me paramendim nën nenin 130 të Kodit Kriminal i cili ndëshkohet me vdekje. Verdikti final do të jepet me 10 Maj.
Prindërit e Hussein, të cilët jetojnë në El Gezira, në jug të Khartoum, e martuan në moshën 16 vjeçare me një kushëri të cilin ajo e refuzoi. Pasi firmosi kontratën martesore, ajo u arratis tek halla e saj në veri të Sudanit. Ajo qëndroi atje për 3 vite ndërsa i shoqi ndihmonte familjen financiarisht.
I ati e mashtroi duke bërë që ajo të kthehej tek i shoqi në El Abbasiya në Omdurman në fillim të vitit 2017. I shoqi donte menjëherë të konsumonte martesën, por ajo refuzoi. Pas 5 ditësh, me ndihmën e disa anëtarëve të famijes së tij të cilët po e mbanin që të mos lëvizte, i shoqi e përdhunoi, tha ajo për gjykatën.
Sipas avokatit të saj, ajo nuk mund të bënte gjë tjetër veçse ta vriste të shoqin për vetëmbrojtje. Ditën tjetër, kur ai ju afrua sërish, ajo e gjuajti me thikë në gjoks, stomak dhe shpinë.
Më pas ajo shkoi tek prindërit. I ati e dorëzoi në polici.
Muawya Khidir, pjesëtar i ekipit të mbrojtjes së Hussein, nuk mendon se Hussein meriton dënim. Ajo po mbronte veten në një kohë kur ishte mendërisht dhe psikologjikisht e rënduar për shkak të përdhunimit, tha ai. Ata do të apelojnë kundër vendimit.
Fushata
Ligji Sudanez, bazuar në Sharian Islamik, nuk e njeh përdhunimin e një gruaje nga bashkëshorti isaj. “Një grua e martuar duhet ti bindet bashkëshortit. Nëse bashkëshorti ka paguar pajën dhe nëse siguron një jetesë të mirë, e shoqja nuk mund të refuzojë marëdhënien seksuale,” thotë neni 91 i Kodit të Familjes Sudaneze.
Iniciativa kundër shtypjes së grave Sudaneze, ka nisur një fushatë kundër vendimit, dhe po mundohen të kriminalizojnë përdhunimin martesor si një formë dhune kundër grave.
Shumë aktivistë arabë të të drejtave të grave e konsiderojnë dënimin të padrejtë. Me haashtagun #JusticeForNoura ata protestojnë për faktin që asaj nuk i është dhënë e drejta e vetëmbrojtjes nga dhuna seksuale.
“Shumë njerëz po përmendin ligjin e Sharias dhe thonë se seksi me të ishte e ‘drejta e tij martesore’ – duke harruar se martesa pa miratim është e paligjshme në Islam. Gjithashtu, të lejosh burra të tjerë në dhomën e gjumit që të shohin se si përdhunon bashkëshorten, është shumë larg gjërave që Islami mund ti falë,” shkruajti gazetarja Yousra Elbagir në Twitter./A.A.