Vdekja te sheh nga gjinjte! Kujdes!
Nga Blendina Cara
Gjiri i gruas është i bukur. Kujdesu!
Hmmm, si? – Mendojnë femrat që kalojnë para kryeministrisë ose shohin foton e fasadës diku, në internet, gazetë a TV. Cilës markë i përkasin të brendshmet e kaltra në filan dritare dhe sa kushtojnë? I blej dot vallë? Po ato gjokset aty ngjajnë shumë të bukur për të qenë të vërtetë. Mos duhet të përdor dhe ndonjë krem për ta mbajtur në formë, apo një operacion i vogël plastikë për ta ngritur pak më lart do më ndihmonte të kisha një gjoks më të bukur. Atëherë nëse do kisha një gjoks më të bukur do isha më e bukur, bashkëshorti im do më shihte me më shumë endje, nuk do më tradhtonte, nuk do më nënvlerësonte, nuk do më rrihte.
Hmmm, për besë po! Mendojnë meshkujt që kalojnë aty pari, ca prej tyre dhe duke ngrënë me sy
bustet që rrinë për shtatë palë qejfe në dritaret e kryeministrisë, teksa mund të ketë dhe nga ata që do ëndërronin që pranë atyre busteve të kishte një etiketë çmimi, si në ato vendet ku kemi dëgjuar e parë, se gjoksi është dhe mall që shitet në vitrinë. Ç’t’i bëj asaj dudumes time që kam në shtëpi që i është varur gjoksi pas gjithë atyre fëmijëve që ka bërë e s’di të veshë një palë sutjena të hajrit. Po ajo e imja që s’e ka fare gjoksin se s’diti të kujdesej budallaqja.
Dhe nëse një mendim i tillë i kalon nëpër kokë një personi të vetëm, ka shumë gjasë të mos jetë i vetmi, apo e vetmja. Ja dhe rezultatet e mastermind-it të fushatës “provokuese” për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit.
Vetëm se detyra e qeverisë nuk është të provokojë, por të edukojë. Detyra e qeverisë nuk është t’i skalisë stereotipet, por t’i luftojë, detyra e qeverisë nuk është të mbajë leksione estetike, por të punojë që njerëzit e saj të kenë luksin të mendojnë në nivel estetik. Detyra e qeverisë nuk është të intimidojë, por të inkurajojë. Detyra e qeverisë nuk është të fyejë inteligjencën e grave të vendit saj, por ta stimulojë atë. Detyra e qeverisë nuk është të tallet me dhimben e atyre që po kalojnë nëpërmjet kësaj sëmundje, e atyre që kanë humbur njerëz nga kjo sëmundje e rëndë, por t’i ngushëllojë. E t’i lehtësojë ato që janë duke luftuar këtë sëmundje, nëpërmjet politikave shëndetësore. E të parandalojë ata që potencialisht mund të preken nga kanceri i gjirit nëpërmjet fushatave ndërgjegjësuese, që përfshijnë një zinxhir procesesh.
Provokimi s’është një ndër to. Më shumë se një fushatë ndërgjegjësimi, nëse do i linim mënjanë gjithë faktorët e mësipërm ngjan si një performancë aktivizmi e menduar e konceptuar keq. Qeveria duhet të jetë aktive, e në funksion të qytetarëve, aktivizmin e bëjnë qytetarët.
Nëse do ishim në një vend nga ato vendet perëndimore, ku mbizotërojnë politikat e korporatave qeveria do ishte akuzuar nga aktivistët se fushata është financuar nga një korporatë veshjesh që prodhon marka të brendshmesh. Grupet feministe do të kishin mbuluar muret me grafiti në shenjë proteste ndaj objektizimit të trupit të tyre në emër të një të ashtuquajture luftë kundër kancerit. Meshkujt dhe femrat intelektualë do ishin ndjerë të fyer nga imponimi i modeleve dhe do ishte hapur një debat i gjerë mbi perceptimin e të bukurës.
Por jemi në Shqipëri. Rrugët janë të mbushura me njerëz të frustruar seksualisht, e këtu po që duhet një fushatë e mirë e provokuese e shkundëse e shëruese. Femrat, mbase dhe meshkujt, e provojnë në kurriz këtë çdo ditë. Duhej dhe një fasadë e tillë që t’i ngarkojë akoma më shumë e femrave që ecin rrugëve do u duhet të dëgjojnë akoma më shumë tentative seksuale verbale teksa ecin rrugëve. Fundja tashmë është legjitimuar se gjoksi është i bukur, nëse deri tani ishte informale një ndër pjesët më të dëshiruara me fjalë rrugëve, dhe vetë muri i kryeministrisë e thotë se është pjesë për t’u vlerësuar. Këtë besoj se projektuesit e fushatës se kanë menduar kur kanë bërë vlerësimin e riskut.
Jemi në Shqipëri dhe kudo të ishim, ai mur është një shuplakë fytyrës gjithë atyre që vuajnë nga kanceri, gjithë atyre që e kanë kaluar betejën me gjokse të hequra, të të gjithë të afërmve të atyre që kanë humbur të dashurat e tyre nga kjo sëmundje. Është një shuplakë fytyrës gjithë atyre grave që nuk e dinë se çfarë do të thotë mamografi. Është një shuplakë fytyre gjithë atyre grave që ndjejnë t’u dalin kokrra nën sqetull a në gjoks dhe nuk kanë para t’i drejtohen spitalit për një kontroll. Është një shuplakë fytyrës së gjithë atyre grave që burrat nuk i lejojnë të shkojnë të “nxjerrin gjoksin” para mjekëve burra. Është një shuplakë fytyrës së gjithë atyre që e dinë mirë që vdekja nuk luftohet me arrogancë.. Lufta kundër vdekjes nuk është si një ndeshje futbolli, ku një veprim provokues, pavarësisht problemeve të mprehta diplomatike që ngjall, shkakton hilaritet informal e batutat therëse ngjallin admirim.
Botuar në Mapo