Vala e politikave konservatore sinjalizon me ndalimin e abortit

Vala e politikave konservatore në shtetet me qeverisje të djathtë, ka ndezur sërish vatra debati e rezistence sa i përket të drejtës së grave për abort të sigurtë.
Irlandë – Akti për abortin në vitin 1967, e legalizoi abortin në Mbretërinë e Bashkuar, por asnjëherë nuk u aplikua në Irlandën e Veriut.
Referendumi mbi abortin, u nënshkrua më 18 shtator 2018, nga Presidenti Michael Higgins, i cili hoqi dhe amendamentin kontraversal nga ligji. Amendamenti i Tetë, i mbetur në fuqi prej shekullit të 19-të, sipas tij, duhej që mijëra gra të udhëtonin në Mbretërinë e Bashkuar, për të abortuar. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, porosisnin në internet pilula aborti që vinin nga jashtë.
Por ende ka shtrëngesa të tjera në Irlandën e Veriut, e cila përgjithësisht konsiderohet më konservatore sesa pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë fazës së referendumit, Irlanda u përshkrua nga polemika të mëdha, duke e ndarë në argumente pro dhe kundër, të gjithë vendin.
Alabama – Qindra protestues kanë marshuar këtë të dielë në Alabama, për të protestuar kundër ndalimit të abortit, nën thirrjet “trupi im, zgjedhja ime!” dhe “votoni PO!”
Protesta erdhi disa ditë pasi guvernatori Kay Ivey nënshkroi ligjin më të rreptë për ndalimin e kryerjes së abortit dhe sanksionimin e tij, si një vepër penale, ku në pothuajse të gjitha rastet nuk është i nevojshëm për shëndetin e nënës. Sakaq, ligji nuk ofron përjashtim për rastet e përdhunimit apo incestit.
Alabama është pjesë e një grushti shtetesh konservatore, që kërkojnë të ngrenë sfida të reja ligjore ndaj Roe v. Wade, vendim i gjykatës Supreme të vitit 1973, që legalizoi abortin mbarëkombëtar. Guvernatorët në Kentaki, Misisipi, Ohajo dhe Gjeorgji kanë aprovuar ndalimin e abortit kur zbulohet një rrahje zemre e fetusit, gjë që mund të ndodhë që në javën e gjashtë të shtatzënisë.
Asnjë nga ligjet nuk ka hyrë në fuqi dhe të gjitha priten të shqyrtohen nga gjykatat, pasi sfidat ligjore luajnë me një rol përfundimtar në Gjykatën e Lartë.
Marshuesit, thanë se këto masa shtrënguese, kanë ndërsyer mbështetësit e abortit të legalizuar duke bërë ç’është e mundur për të nisur një betejë ligjore dhe politike. Në tubimin marshues, dy folëse treguan historitë e tyre mbi abortin, ndër të tjera edhe një grua e cila doli nga turma për të përshkruar abortin që ajo kishte bërë në moshën 18-vjeçare, pasi e kishin përdhunuar në një festë.
“Kam pasur miq që kishin kryer aborte të paligjshme dhe mezi mbijetuan”, tha Hall, i cili për një kohë të gjatë ka drejtuar një klinikë në Montgomeri që ofronte abort, kontroll të lindjes dhe shërbime të tjera. “Ende nuk mund ta besoj të gjithë këtë. Është me të vërtetë një kohë e frikshme për të gjithë”, vazhdoi ai gjatë manifestimit kundër nismës për ndalimin e abortit ligjor.
Demonstrata të ngjashme, ditën e dielë, u mbajtën gjithashtu edhe në Birmingam dhe Hansvill.
Trump – Ndërkohë, Donald Trump presidenti i SH.B.A-ve, tenton të justifikojë politikat e djathta amerikane dhe njëkohësisht veten nëpërmjet një postimi në twitter: “Siç e dinë, shumica e njerëzve dhe për ata që duan të dinë, unë jam me çdo kusht pro-jetës, me tri përjashtime – përdhunimi, incesti dhe mbrojtja e jetës së nënës – i njëjti pozicion që ka mbajtur dhe Ronald Reagan”.
Megjithatë, ky reagim ka ardhur më shumë si përpjekje për t’u distancuar nga ligji i ri i Alabamës, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë të ndalonte abortet edhe për viktimat e përdhunimit dhe incestit. Mirëpo, tanimë nuk ka rëndësi se çfarë mendon Trump – dhe jo vetëm për shkak se ndalimi i Alabama është nënshkruar tashmë në ligj, – por se sigurisht që Trumpi ka pasur influencën e tij, që Alabama mori atë vendim.
