Vajza nga Kosova shpallet futbollistja më e mirë e vitit 2017 në Suedi
Shoqata e Futbollit Suedez dhe gazeta e përditshme ”Sydsvenska Dagbladet” kanë shpërndarë çmimet për futbollistët më të mirë për vitin 2017. Për kategorinë e vajzave futbolliste, çmimi ‘‘Topi i Diamantë‘‘ (Diamantbollen) iu aderua vajzës me emrin Kosovare Asllani.
Në një prononcim për mediat futbollistja shqiptare u shpreh si më poshtë: ‘‘Unë jam shumë krenare për këtë çmim. Nuk është vetëm meritë e imja‘‘ u shpreh ajo duke falenderuar familjen për mbështetjen e vazhdueshme, kombëtaren si edhe klubin e futbollit vendas.
‘‘Kur isha gjashtë vjeçe më tha dikush se futbolli nuk është për vajza, në shkollë dikush tjetër më tha gjithashtu se duhej të ndërpreja lojën dhe se nuk do të arrijë të mbaj veten me futboll. Mirëpo mua vetëm sa më shtohej dashuria për futbollin, dashuri që u rrit aq sa mua më solli këtu para jush si futbollistja më e mirë e vitit 2017‘‘ shton ajo.
Teksa po jepej çmimi si futbollistja më e mirë në Suedi, juria e Shoqatës së Futbollit Suedez u shpreh: ‘‘Një futbolliste që filloi si mbrojtëse dhe u zhvillua shumë, avancoi deri në nivel të lojtares kryesore, për tu kurorëzuar më vonë kapitene e kombëtares suedeze. Kosovarja Asllani poseidon kualitete fantastike, është njohëse e përkryer e lojës, golashënuese e rrezikshme dhe pasuese e shkathët e topit. Dhe para së gjithash është lojtare që digjet për fitore”.
Kosovare Asllani ka lindur nga prindër kosovarë në qytetin Kristianstad të Suedisë. Ajo është 28 vjeçare dhe është fituese e shumë titujve sportiv në Suedi. Një prej dëshirave të saj më të mëdha është hapja e një Qendre Kulturore për Kosovën në Suedi./k.m/
Burimi: Bota Press/Kosovë