Vajza lë shkollën se e ngacmojnë seksualisht
Një 14 vjeçare nga një fshat i thellë i Bulqizës shprehet se po detyrohet të braktisë shkollën për shkak të ngacmimeve seksuale të një 47 vjeçari të zonës. Babai i së miturës thotë se ka bërë denoncim për këtë rast, por gjykata zvarrit çështjen dhe i dyshuari M. J., 47 vjeç, nga fshati Somollik, lihet i lirë duke shtuar shqetësimet edhe për fëmijët e tjerë. Familja nga fshati i largët i Bulqizës në kufi me Maqedoninë, krahas vështirësisë së të jetuarit në këto zona si pasojë e varfërisë dhe harresës, vajzave të vogla u duhet të përballen dhe me një tjetër fakt tronditës, atë të ngacmimeve seksuale nga persona të rritur e të papërgjegjshëm.
Adoleshentja Sh. K., në klasë të nëntë thotë se disa herë ka rënë pre e ngacmimeve seksuale të 47 vjeçarit. Madje kjo ka ndodhur edhe në oborrin e shkollës. Përballë kësaj situate jo vetëm ajo, por dhe motrat e saj kanë frikë të shkojnë në shkollë. Babai i dy vajzave të mitura thotë se ai ka denoncuar në polici të dyshuarin që ngacmon fëmijët e tij. Madje çështja ka shkuar në gjykatë, por ndaj tij nuk është dhënë asnjë dënim dhe ky i fundit ka shtuar ngacmimet ndaj fëmijëve, të cilët udhëtojnë përreth dy orë vajtje- ardhje për të shkuar në shkollë në fshatin Somollik në Zerqan. Në këtë situatë M. K. thotë se iu drejtua mediave për ta bërë publik rastin pasi nuk ka gjetur zgjidhje në drejtësi. Ai thotë se ka kërkuar edhe shpërnguljen nga ky fshat pasi dhe fëmijët e kanë të pamundur jetesën.
Por sipas babait të 14-vjeçares, 47 vjeçari nuk është i vetmi që i ngacmon fëmijët, pasi brenda rrethimit të shkollës qëndrojnë edhe të rinj të tjerë dhe askush nuk i largon. Ai ka kërkuar ndihmën e mësuesve për këtë gjë, por këta të fundit janë treguar moskokëçarës dhe të papërgjegjshëm. Thirrja për ndihmë e familjes në fshatin e largët të Bulqizës është një kambanë alarmi për shumë familje të tjera, të cilat nuk kanë gjetur kurajën për të denoncuar ngjarje të tilla, ndërkohë që menjëherë mësohet se është urdhëruar verifikimi i deklaratave të denoncuesit./A.A.