Vajza egjiptiane vdes gjatë synetllëkut femëror
Prokurorët egjiptianë po hetojnë vdekjen e një vajze adoleshente gjatë një synetllëku femëror në një spital privat, thanë zyrtarë të ministrisë së shëndetësisë dhe prokurorët këtë të hënë.
Mayar Mohamed Mousa, 17 vjeç, vdiq në spitalin El Canal të dielën, ndërsa ishte nën anestezi të plotë në provincën e Suezit, tha Lotfi Abdel-Samee, nënsekretar në ministrinë e shëndetësisë në provincë.
“Kjo është diçka që ligji e ka ndaluar,” tha Z. Abdel-Samee.
Pavarësisht ndalimit të kësaj ndërhyrje në vitin 2008, gjymtimi gjenital femëror (FGM) është ende shumë i përhapur në Egjipt, veçanërisht në zonat rurale. Ai praktikohet nga myslimanët si dhe nga minoritetet e krishtera në Egjipt.
Ligji çoi në dënimin e parë me burg ndaj një mjeku në Egjipt në janar të vitit të kaluar, dhe babai i vajzës në atë rast u dënua me tre muaj dënim me kusht.
Nëna e vajzave është një infermiere, ndërsa babai i tyre është një kirurg. Operacioni u krye nga një mjeke e regjistruar, sipas Z. Abdel-Samee.
Autoritetet e mbyllën spitalin të hënën, pasi transferuan pacientët nëpër spitale të tjera, ndërkohë që prokurorët morën në pyetje menaxherin e spitalit dhe stafin mjekësor të përfshirë në operacion, tha Z. Abdel-Samee.
Ndërsa 200 milion gra dhe vajza në mbarë botën i janë nënshtruar kësaj praktike, ka pasur përparime të mëdha në Egjipt, po ashtu edhe në Liberi, Burkina Faso, dhe Kenia kundër saj, sipas Claudia Cappa, autori kryesor i raportit të agjencisë për fëmijë të OKB-së të muajit të shkurtit mbi këtë çështje.
“Shifrat e fundit nga Studimi Demografik e Shëndetësor i Egjiptit tregojnë se ne jemi duke fituar”, tha Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në një raport të vitit të kaluar.
“Qëndrimet e nënave po ndryshojnë gjithashtu,” tha UNDP.
Ndërsa 92 për qind e nënave e kanë kaluar edhe ato këtë procedurë, vetëm 35 për qind e tyre “kanë ndërmend të bëjnë synet vajzat e tyre”, sipas këtij raporti.
Viktimat e procedurës janë përballuar me një varg pasojash që nga gjakderdhja dhe dhimbjet kur urinojnë, siklet ekstrem gjatë seksit, e deri në komplikime fatale në lindjen e fëmijëve dhe trauma të thella psikologjike./A.A.