Ushtria polake u mëson grave vetëmbrojtje falas
Ministria e mbrojtjes polake ka nisur mësime mbarëkombëtare falas që gratë të mësojnë të luftojnë të paarmatosura.
Klasat do të fillojnë në 30 objekte ushtarake, nga 19 nëntori deri më 3 qershor. Instruktorët e ushtrisë polake do të jenë trajnuesit.
Teknikat do të përfshijnë pozicione mbrojtëse dhe si të ruhesh nga shkelmat, mbytja dhe sulmet me armë.
Disa polakë e shohin nismën më shumë si një mënyrë të ushtrisë për të promovuar imazhin e saj.
Ministria thotë se është hera e parë që ushtria ka ofruar një program të tillë mbarëkombëtar. Ai është i hapur për të gjitha gratë polake të moshës 18 vjeç ose më shumë të cilat janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Një ish-komandant i forcave speciale, Roman Polko, tha për faqen e lajmeve në internet Dziennik Polski, se nuk ishte puna e ushtrisë të mësojë qytetarët të luftojnë të paarmatosur. Ai tha se kjo mund të jetë një mënyrë për dalluar rekrutët potencialë për forcat e armatosura. Por të mësosh aikido ose lëvizje jujitsu “nuk të bën të fitosh luftën,” tha ai.
Një tjetër kritik, gazetari Krakow Marcin Ogdowski, tha se mësimet “kanë një dimension propagandistik”. Ai tha se klasat për vetë-mbrojtjen e grave duhet të drejtohen nga policia, në vend të ushtrisë.
Mbrojtja territoriale
Duke filluar programin, Ministri i Mbrojtjes Antoni Macierewicz tha se qëllimi ishte që gratë të mësonin “teknikat themelore luftarake dhe, mbi të gjitha, të përmirësonin gjendjen e përgjithshme fizike”. “Ne i ftojmë zonjat të vinë, ka ende vende – nuk ka kufizime moshe,” tha ai.
Pjesëmarrëset duhet të kenë me vete sigurimin e tyre shëndetësor dhe një letër që i heq ministrisë së mbrojtjes çdo përgjegjësi nga lëndime të mundëshme./A.A.