“Unë jam”, ekspozita kolektive që tregon gruan si subjekt
Nisi në Shkup, rrugëtoi për Tiranë, u prezantua më pas në Beograd dhe ndali edhe në Prishtinë. Është ekspozita “Unë jam”, e pesë artisteve në përbërje të: Arlinda Hajrullahu, Burbuqe Berisha, Blerta Surroi, Eliza Hoxha dhe Mjellma Goranci, të cilat, këtë ekspozitë e prezantuan në kuadër të FEMART. Eliza Hoxha është shprehur se kjo ekspozitë ka për qëllim që të dërgojë mesazhin që femrat mos të shihen si objekt, por si subjekt.
Të punuarit me qeramikë edhe në kohën kur je shtatzënë dhe pret të sjellësh në jetë një jetë, është diçka magjepsëse. Një gjë të tillë e tregoi për KultPlus, njëra ndër artistet që ishte pjesë e ekspozitës kolektive “Unë jam”, Blerta Surroi, e cila tregoi se për të ka qenë një kënaqësi shumë e madhe, që pikërisht punimet e asaj periudhe ti shfaqë në këtë ekspozitë, e cila ka udhëtuar në rajon, kurse premierën për Kosovë e pati mbrëmjen e së shtunës, në kuadër të festivalit FEMART.
“Këto punime kryesisht janë punuar në kohën kur unë kam qenë shtatzënë, pra në dy shtatzënitë e mia. Kam pasur energji dhe motiv të jashtëzakonshëm, dhe në nëntë muajt e shtatzënisë kam punuar qeramikë. Dhe kur kam shkuar të lind djalin e parë, kam qenë duke punuar dhe më është dashur ta lë punën në gjysmë, dhe nuk merresha me atë se si do të shkonte procesi i lindjes, por thosha ‘Ahh si se përfundova punimin’. Prapë në vitin e ardhshëm isha shtatzënë dhe vazhdova të punoj me të njëjtën tempo, me të njëjtën kënaqësi dhe motivim. Punimet e mia i kam punuar kryesisht në det. Inspirohem shumë në det, …, vetë të qenit buzë detit më jep kënaqësi”, u shpreh Surroi, e cila vazhdoi të tregojë se në fund të këtij viti do të dalë me një ekspozitë personale në Shqipëri, ku do të prezantojë punime të shumta.
Arlinda Hajrullahu, Burbuqe Berisha, Blerta Surroi, Eliza Hoxha dhe Mjellma Goranci ishin pesë artistet që u mblodhën për të krijuar ekspozitën “Unë jam”, me një qëllim shumë të madh. “Qëllimi kryesor ka qenë që gruaja të mos shikohet si objekt, por si subjekt, sepse ajo kontribuon shumë dhe si e tillë është pjesë e barabartë e procesit në shoqëri”, u shpreh para të pranishmëve artistja, Eliza Hoxha.
Të gjitha këto artiste kanë sjellë artin nëpër mënyrat se si ato e krijojnë atë. Edhe Burbuqe Berisha, e njohur në publik si regjisore, në këtë ekspozitë solli një video me një thënie shumë interesante, ku thuhej : Femra është mbretëreshë e botës, por skllave e dëshirave…Vetëm gruaja mund të qajë e të qeshë për të njëjtën arsye. Ne jemi ato.
“Ne nga viti i kaluar jemi bashkë dhe ideatorja e gjithë kësaj ekspozite është Arlinda Hajrullahu e cila na ka mbledh të gjithave, dhe ekspozitën e parë e kemi pasur në Shkup, që ka qenë ndoshta një strategji e mundshme që të fillojmë nga një qytet që ka qenë gjithmonë i banuar nga shqiptarët, të dytën e kemi pasur në Tiranë, të tretën në Beograd, kurse tani të katërtën në Prishtinë. Ka qenë një shëtitje rajonale dhe dua të theksoj se ka qenë sfiduese të jemi në Beograd, dhe kjo ka qenë ndoshta një prej misioneve tona mbi këtë ekspozitë ”, përfundoi kështu Berisha, e cila theksoi se ka qenë një kënaqësi e vërtetë të punohej me të gjitha koleget që janë në ekspozitë, pasi që, sipas saj, secila prej tyre është munduar të sjell shpirtin e saj krijues, në një gjuhë të përbashkët./A.A.
- Autore: Sarandë Selimi