“Tregohu i lezetshëm, qeshi por mos e prek një femër”, udhëzimet për azilkërkuesit në Belgjikë
Azilkërkuesit në Belgjikë po trajnohen si të flirtojnë dhe respektojnë femrat në mënyrë që të mos ketë akte të turpshme si në Gjermani.
Autoritetet belge kanë shpërndarë udhëzime sesi refugjatët meshkuj të ardhur nga Siria, Afrika, Iraku etj të sillen me gjininë e kundërt. Shprehje të tipit, ‘bëhu i këndshëm’, ‘bëj kontakt me sy, por mos ngulmo’, shkruhen në broshurat që janë shpërndarë në kampet e refugjatëve të luftës në mbarë Belgjikën.
Burrat lejohen të puthin njëri-tjetrin dhe madje dhe prostitutat duhet të respektohen, theksojnë më tej broshurat.
Sipas qeverisë belge, këto udhëzime nuk janë rregulla fikse, por thjesht një indikator në ndihmë të refugjatëve të luftës që vijnë nga kultura tërësisht të ndryshme nga Perëndimi.
‘Në Belgjikë të gjithë kanë të drejtë të zgjedhin vetë partnerin, ose partneren, të cilin ose të cilën mund ta takojnë përmes një miqësie, një feste, në punë, në shkollë, universitet, klube sportive apo dhe internet”, shkruhet në broshurë.
Refugjatët këshillohen që një femre mund t’i qeshin, mund t’i prezantohen, mund dhe të nisin një bisedë, por gjithmonë pa e prekur fizikisht tjetrën.
“Në qoftë se një femër ka veshur fustan seksi, kjo nuk do të thotë se ajo dëshiron seks”, theksohet në broshura duke shtuar se dhe prostitutat duhen respektuar pavarësisht se punojnë për seks.
Ministri i Emigracionit, Theo Francken u shpreh se ishte revoltuar nga sulmet që iu bënë femrave në Këln të Gjermanisë, ndaj është betuar të ndërgjegjësojë refugjatët e luftës se femrat dhe meshkujt kanë të drejta të barabarta./A.A.