Ti je e përsosur kështu siç je!
Ajo që nuk kam dëgjuar ndonjë herë të ma thonë është: “Ti je e përsosur kështu siç je.”
Gjatë 10 viteve që Nikki DuBose ka qenë modele, ajo ka duruar ngacmim seksual, presion psikologjik dhe vërejtje përçmuese për trupin e saj. Tani, ajo po flet hapur për eksperiencën e saj. Ajo thotë: “Ekziston një presion i pashprehur që ti duhet të marrësh pjesë apo duhet të shkosh nëpër party me persona shumë më të vjetër në moshë, dhe nëse unë nuk do ta bëja këtë gjë, atëherë nuk do të punoja dhe aq shumë. Kështu që vura re që kur shkoja nëpër darka apo kaloja kohë me persona të fuqishëm të cilët mund të më mundësonin kontrata të reja, punoja më shumë. Ndjeja presionin që nëse nuk flija me shefin tim, ose nëse nuk sillesha në një mënyrë të caktuar, atëherë nuk do të fitoja kontrata të mëdha. Dhe kjo ishte puna ime e vetme. Kështu që… çfarë bëhet në situata të tilla?”
DuBose ka patur një fëmijëri traumatike, dhe ka vuajtur nga çrregullimet në ngrënie që kur ka qenë 8 vjeçe.
“Gjithçka ka të bëjë me pamjen. Në rregull? Edhe unë jam disi skeptike, sepse ndjej që fushatat mbi diversitetin e trupit janë shumë të mira, por unë jam shumë e ndërgjegjshme që kur je modele dhe shkon tek agjencia jote, ata gjithsesi janë shumë striktë. Dhe do t’ju thonë çdo gjë. Mua më kanë thënë çdo gjë. ‘Shko bëj operacion plastic,’ gjë që e bëra se doja të punoja. Një ditë ata po më masnin për një punë, dhe më thanë ‘Je shumë e shëndoshë,’ ose ‘këmbët i ke shumë ‘kështu,’’ dhe më pas ditën tjetër më thanë ‘sa shumë peshë paske humbur, çfarë po ndodh kështu?’ Kështu që fillova të ndjeja se nuk isha kurrë në formën e ‘duhur.’ Dhe kur nuk je e qëndrueshme mendërisht, kjo është shumë e dëmshme. “
Në fund të karrierës së saj si modele, ajo peshonte vetëm 40 kilogramë. “Kur vuaja nga anoreksia ishte shumë interesante sepse ata më thoshin që; isha shumë e bukur, që isha e përsosur. Dhe fillova të mendoj ‘Prit pak. Unë jam e sëmurë, e di që nuk jam mirë, po vjell, flokët më bien vazhdimisht, zemra më rreh në mënyrë të çregullt, mund të shohësh tërë kockat e trupit tim dhe sërish ju më thoni që jam e bukur? Pse ndodh kjo? Pse vetëm kur jam asgjë, ju mendoni se jam diçka?’”
Nikki DuBose tani punon me shumë organizata duke luftuar për të ndryshuar situatën. “E di që në Francë miratuan një ligj, gjë që është shumë e rëndësishme. Është si të thuash që sa herë ka një kulturë negative, ka nevojë për shumë punë. Janë hapa të vegjël dhe hapat e vegjël bëjnë fitore të mëdha.”/A.A.