Ti kujdesu për mitrën tënde, se për timen kujdesem vetë
Diku ndodhet një grua, 30 vjeçare, pa fëmijë. Njerëzit e pyesin: “Akoma pa fëmijë?”. Reagimi i saj varion nga dita në ditë, por zakonisht ky reagim përfshin buzëqeshje të sforcuara dhe vetëpërmbajtje. “Ende jo”, përgjigjet ajo duke buzëqeshur dhe fshehur irritimin e saj. “Epo, mos prit shumë. Koha ikën, e ke parasysh”, thotë i mençuri i radhës para se të largohet, i kënaqur me veten që tregoi aq shumë urtësi. I mençuri largohet. Gruaja ruan edhe për pak buzëqeshjen. Kur është vetëm qan….
Qan sepse ka mbetur 4 herë shtatzënë, por çdo herë ka pësuar një abort spontan. Qan sepse ka tentuar të ketë një fëmijë që nga nata e parë e martesës, që para pesë vjetësh. Qan sepse burri i saj ka një ish grua dhe ajo ka fëmijë. Qan sepse dëshiron pafundësisht të tentojë fekondimin in vitro, por nuk mund t’i përballojë shpenzimet. Qan sepse ka tentuar fekondimin in vitro (disa herë) dhe ende nuk ka fëmijë. Qan sepse shoqja e saj e ngushtë nuk pranon të jetë nënë surrogate. “Do të ishte e çuditshme” i thotë ajo. Qan sepse ilaçet që merr, e pengojnë të mbetet shtatzënë. Qan sepse ky problem shkakton tensione në martesën e saj. Qan sepse doktori i thotë se është mirë, por ajo e di që problem është ajo. Qan sepse burri i saj fajëson veten, dhe kjo ndjesi faji e bën atë një person të vështirë me të cilin të jetosh. Qan sepse të gjitha motrat e saj kanë fëmijë. Qan sepse një nga motrat e saj, as që donte të kishte fëmijë. Qan sepse shoqja e saj e ngushtë është shtatzënë. Qan sepse nëna e saj vazhdon ta pyesë: Moj vajzë, çfarë prisni akoma? Qan sepse vjehrrit e saj duan të bëhen gjyshër. Qan sepse fqinja e saj ka dy binjakë dhe i trajton shumë keq. Qan sepse 16 vjeçaret mbeten shtatzënë edhe pa dashur. Qan sepse është një teze e mrekullueshme. Qan sepse tashmë i ka zgjedhur emrat. Qan sepse ka një dhomë bosh në shtëpi. Qan sepse ka një hapësirë bosh në trup. Qan sepse ka shumë për të ofruar. Qan sepse ai do të ishte një baba i mrekullueshëm. Qan sepse ajo do të ishte një nënë e mrekullueshme, por nuk është.
Diku ndodhet një tjetër grua: 34 vjeç, 5 fëmijë. Njerëzit i thonë: “Pesë? Oh Zot, shpresoj të mos vazhdosh më?” dhe pastaj qeshin së bashku, sepse komente të tilla janë gallatë. Edhe gruaja qesh, por jo me sinqeritet. Ndryshon temë si gjithmonë dhe mbyll një sy ndaj kësaj mungese respekti. Thjesht një ditë më shumë. Kur është vetëm qan…
Qan sepse është sërish shtatzënë, por ndjen se duhet ta fshehë gëzimin. Qan sepse gjithmonë ka dëshiruar një familje të madhe dhe nuk kupton pse njerëzit shqetësohen kaq shumë nga kjo gjë. Qan sepse nuk ka vëllezër dhe motra dhe është ndjerë gjithnjë e vetmuar. Qan sepse gjyshja e saj ka pasur 12 fëmijë dhe asaj do t’i pëlqente të ishte si ajo. Qan sepse nuk mund ta imagjinojë jetën pa fëmijët e saj, por njerëzit e trajtojnë sikur fëmijët të ishin ndëshkim. Qan sepse nuk do të mëshirohet. Qan sepse njerëzit supozojnë që nuk ishte kjo ajo çfarëë donte. Qan sepse e perceptojnë si të papërgjegjshme. Qan sepse mendojnë se ajo nuk ka të drejtë zgjedhjeje. Qan sepse ndjehet e keqkuptuar. Qan sepse është lodhur duke mbrojtur zgjedhjet personale. Qan sepse ajo dhe burri i saj janë në gjendje të mbajnë familjen e tyre, por mesa duket kjo nuk paska rëndësi. Qan sepse është lodhur nga komentet “për të qeshur”. Qan sepse ajo sheh punën e saj. Qan sepse do të donte që edhe të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Qan sepse ndonjëherë e vë në dyshim dhe pyet veten nëse duhet të kishte vetëm tre fëmijë. Qan sepse të tjerët janë të shpejtë në kritika dhe të ngadaltë në ndihmë. Qan sepse është lodhur nga vështrimet. Qan sepse ajo nuk është një përbindësh për tu vëzhguar nga të tjerët. Qan sepse njerëzit janë të paedukatë. Qan sepse shumë njerëz kanë një opinion për jetën e saj personale. Qan sepse gjithçka që dëshiron, është që të jetojë e qetë.
Një tjetër grua: 40 vjeçare, me një fëmijë. Njerëzit e pyesin: “Vetëm një? Nuk ke dashur të bësh më shumë?”. “Jam e lumtur kështu”, përgjigjet ajo me qetësi, një përgjigje që është përsëritur kush e di se sa herë. Bindëse, por askush nuk do të dyshonte që kur është vetëm, ajo qan….
Qan sepse ajo shtatzëni ishte një mrekulli. Qan sepse fëmija i saj kërkon akoma një motër apo vëlla. Qan sepse gjithmonë ka dashur të ketë tre fëmijë. Qan sepse iu desh të ndërpriste shtatzëninë e dytë për të shpëtuar jetën e saj. Qan sepse doktori i thotë se do të ishte me shumë rrezik një tjetër shtatzëni. Qan sepse lufton për t’u kujdesur për të vetmin fëmijë që ka. Qan sepse ndonjëherë një fëmijë vlen sa për dy. Qan sepse burri i saj as nuk konsideron idenë e një fëmije tjetër. Qan sepse burri i saj nuk jeton më dhe ajo nuk e ka rigjetur dashurinë. Qan sepse familja e saj beson se një fëmijë është i mjaftueshëm. Qan sepse është zhytur në karrierën e saj dhe nuk mund ta braktisë atë. Qan sepse ndjehet egoiste. Qan sepse nuk ka humbur akoma kilet e mbledhura gjatë shtatzënisë së parë. Qan sepse ka vuajtur nga depresioni postpartum. Qan sepse ka probleme me trupin e saj dhe shtatzënia vetëm sa e përkeqëson situatën. Qan sepse lufton akoma kundër bulimisë. Qan sepse ka hequr mitrën. Qan sepse do një tjetër fëmijë, por nuk mund ta ketë.
Këto gra janë kudo. Janë fqinjet tona, shoqet, motrat, koleget, kushërirat. As nuk duan t’ia dinë për këshillat, opinionet tona. Mitra e tyre u përket vetëm atyre, le ta respektojmë këtë fakt. /A.A.