“Thyeje Heshtjen”
Në deklaratat e tij të forta që ka bërë për të goditur sistemin gjyqësor në Shqipëri, ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, shpesh përmendte histori grash të dhunuara të cilat veçse viktima të dhunës në familje, përballeshin edhe me drejtësinë e korruptuar.
I tillë është edhe rasti i një gruaje, e cila ka rrëfyer historinë e saj të dhimbshme përmes një video të realizuar nga gazetarja Erjona Rusi dhe mbështetur nga Ambasada amerikane.
Gruaja tregon se si bashkëshorti i saj i ka dhënë grushtin e parë të fuqishëm vetëm sepse djali qante gjatë natës, për shkak se kishte dhimbje të veshit.
“Ai ngrihet dhe më qëllon me grusht saqë nuk arrita të kuptoja pse ndodhi kjo gjë”, thotë ajo.
Një dhimbje e dyfishtë për të ishte dhe fakti që fëmijët shikonin gjithçka, se si nëna e tyre bëhej pre e dhunës nga babai, në një ambient që në fakt duhet t’i dhuronte veçse dashuri dhe ngrohtësi familjare.
“Fëmijët e mi shikonin nënën e tyre se si dhunohej dhe mundoheshin ta ngushëllonin atë kur i ati largohej nga shtëpia. Kjo ishte një dhimbje tjetër”, rrëfen gruaja.
Ajo bën me faj veten që nuk e ka denoncuar që në fillim dhunën sistematike nga ana e bashkëshortit. “Më kishte nënshtruar frika se ishte i fuqishëm dhe kishte lidhje me politikën”
Por nëse nuk do t’i kishte thënë vetes se “do ja dilte pavarësisht fuqisë së bashkëshortit”, kjo grua sot nuk do të ishte një triumfuese.
“Pasi u divorcova, ju riktheva shkollës. Bëra denoncim dhe kërkova urdhër mbrojtje në gjykatë. Gjykata dha vendime të padrejta. Unë i ktheva fëmijët në shtëpi dhe nuk u mor parasysh që babai ishte dhunues. Kjo ndodhi për faktin se unë isha e pafuqishme ekonomikisht”, tregon ajo.
“Thyeje heshtjen” është mesazhi i fortë që përcjell kjo video e që vjen përmes sensibilizimit nga figura të njohura të ekranit, të mediat e muzikës.
“Merrni një çast. Shihni djathtas e majtas. Në botë, të paktën një në tre gra është rrahur, detyruar të bëjë seks, apo është abuzuar në mënyra të ndryshme gjatë jetës së saj. Më shpesh, abuzuesi është një anëtar i familjes së saj. Të ndalësh dhunën në familje është një përgjegjësi e ndarë nga të gjithë ne – burra dhe gra. Kur unë isha student, mësova për respektin nga një miku im i cili më mori të marshoja aty ku studentët protestonin kundër dhunës në universitet. Mbaj mend se isha 18 vjeç dhe dëgjoja historitë e grave të guximshme në moshë të re të cilat tregonin si ishin sulmuar fizikisht apo se si nuk do të lejonin më kurrë që dikush t’i lëndonte. Kjo më mësoi respekt për zërat kurajozë të cilët nuk kanë frikë të flasin lartë dhe qartë kundër dhunës. Shqipëria ka zërat e saj kurajozë. Unë zgjedh të jetoj pa dhunë. Unë zgjedh të respektoj gratë. Unë zgjedh të respektoj burrat. Unë zgjedh të ndihmoj të tjerët të mësojnë çfarë do të thotë respekt. Shpresoj që do të bashkoheni me mua”, u shpreh ambasadori amerikan në një ceremoni për prezantimin e videos.
Video është realizuar në kuadër të 25 vjetorit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore,” e cila ka nisur në vitin 1991 dhe është organizuar nga Qendra për Udhëheqjen Globale të Grave./A.A.
Videon mund ta shikoni këtu: https://www.facebook.com/usembassytirana/?fref=ts