Thuj grue, jo femën!
Thuj grue! Gjithmonë! Sepse femën mundet me qenë edhe nji lopë, nji qen, nji pelë a nji zog. Thuj grue, sepse tue thanë femën, vijmë në ditën kur kryeministri thotë “lopë” kur të mendon “grue”. (E ka me femnat ai.)
Grue mundet me qenë veç nji njeri. Fjala “femën” asht term shkencor që përshkruen seksin ose gjininë biologjike– karakteristika fiziologjike të nji gjallese, tue e përfshi njeriun njëjtë sikur edhe krejt gjallesat tjera. Fjala “grue” asht e rezervume veç për njerëzit, pavarësisht rolit që i mvishet grues në shoqni të ndryshme. Fjala “grue” implikon shpeshherë gjininë biologjike, por nënvizon identitetin gjinor. E njëjta vlen tani për fjalën “çikë”. E gjinia biologjike dhe identiteti gjinor nuk janë e njëjta, përkundër tendencës me i barazue.
Edukimi
Nëse e analizojna përdorimin e fjalës “femën” kena me e pa që për të njejtin kontekst rrallëherë kena me e gjetë fjalën “mashkull” me e përshkrue nji burrë në vlerën e tij si njeri. Ma së shpeshti fjalën “femën” e gjejmë në konotacion negativ dhe përdoret prej burrave e prej grave gati njisoj. P.sh., “Ah, shum femën budallicë ish”. Thue se budallallëku i nji grueje e ka burimin në vaginën e saj e jo në përdorimin e trunit. Por edhe me qenë e kundërta, edhe me qenë diçka pozitive, e njejta vlen. Nën nji, truni s’ka gjini, dhe nën dy, përdorimi i tij nuk varet prej gjenitaleve, por prej shëndetit të tij dhe prej edukimit, e për fat të keq te na edukimi ka gjini. Po, edukimi po. Që edukimi pastaj ndikon në mënyrën qysh mendojna e veprojna, s’ka fjalë.
A djalë a çikë?
Edukimi i bazuem në gjini fillon me “planifikimin familjar” (nënkupto: kena me ba aq fëmi sa na duhet me i ba, për me e pasë bile nji djalë. Kjo lidhet pastaj me mentalitetin e trashëgimisë dhe ndamjen e hises.) e pastaj vazhdon me gëzimin familjar kur të lind fëmija, me ngjyrat e teshave e zgjatet deri te racionimi i vërejtjeve në tryezën familjare të moraleve. “Ti je çikë, s’bon me bo ashtu.” Kur asht fjala për djalin, kësaj krenarie kombtare që i ka hije gjithçka, bile edhe organit të tij gjenital i kemi vnue emën miklues qysh si fëmi: peci. S’asht marre me e thanë: asht “peci”.
Çikat i mbushin me faj e inferioritet që janë çika, ma së voni kur t’iu vijnë menstruacionet “se tash je bo femën, asht marre” u thojnë (ec e guxo vazhdo me qenë fëmi pas kësaj), dhe ironikisht nuk u thojnë ”ruju prej pecit”, por “ruje fëtyrën e familjes”. Gjenitali i saj nuk merr emën miklues. Dhe besom, nuk asht punë e hatrit. Problemi asht që gjenitali i saj asht kërcënim serioz për ftyrën e babës, vllaut, axhës, dajës, djalit të axhës, djalit të dajës, krejt fisit, krejt katunit, dhe së fundi hiç ma pak, krejt nderit të kombit.
Komunikimi
Ky kërcënim po pasqyrohet edhe në përdorim të gjuhës, përmes së cilës vjen në shprehje edhe psikologjia e nji populli e veçanërisht komplekset dhe frikat e tij. Gjuha asht mjet komunikimi, e kjo nënkupton që randësia e saj asht ma shum se me pasë fjalor të pasun e me qenë gramatikisht korrekt. Ajo përcakton jo veç qysh komunikohet, por edhe çka e sa thellë, e rrjedhimisht përcakton lidhjen, ndarjen ose barazinë e njerëzve (dhe perceptimin e kësaj barazie) në këtë komunikim në bazë të kuptimit që i vihet nji fjale. Kështu që kur thue “femën” në vend se “grue” hiç nuk ka lidhje a je tue thanë diçka pozitive a jo për gratë. Sepse, çkado pozitive që thue, ti me përzgjedhjen e fjalës “femën” je gjithashtu tue komunikue që grueja për ty asht ma së pari gjini, d.m.th. asht ma së pari femën, eventualisht veç femën (e që asht absurde), dhe që roli i saj, për mos me thanë qëllimi i ekzistencës së saj, asht në thelb i ndërlidhët ma së pari me biologjinë e saj, rrjedhimisht aftësinë e asaj “biologjie”, p.sh. riprodhimin. Ose, edhe ma keq, për shfryrje të epshit biologjik mashkullor, në procesin e aktit riprodhues. Pra, në këtë kuptim, me thanë femën, asht njisoj si me thanë vaginë. Fakti që na tingëllon ma e lehtë për veshë, nuk e ban këtë fjalë diçka tjetër pos një emën të vonuem miklues për vaginën. Funksioni asht i njejtë.
Identiteti gjinor
Gjithashtu duhet me e përmendë patjetër, që sa i përket përdorimit të fjalës “femën” në vend të fjalës “grue” argument i mirë për me theksue se asht gabim ky përdorim, asht edhe fakti që nji njeri mundet me qenë femën, por me qenë burrë, dhe mundet me qenë mashkull por me qenë grue. Asht e mundshme që gjinia biologjike mos me u përputhë me identitetin gjinor. Po, edhe asht normale. Pavarësisht çka thotë naj hajvan-deputet i rastit.
Përderisa fjala “femën” përshkruen gjininë biologjike, fjala “grue” implikon edhe identitetin gjinor. Natyra e njeriut asht shum ma e komplikume se “pec e asishne”. Prandaj me e zvogëlue nji grue veç në femën, tue i barazu këto fjalë si të njejta në kuptim asht gabim, sepse nuk janë të njejta. Pikë.
Burrnimi i djalit e ç’virgjërimi (ose grunimi) i çikës
E sa duhesh me u rritë për me u ba burrë? Djali bahet burrë tue u pjekë, e pjekët, kur t’thotë pleqnia e katundit që je burrë. A burrë me thojza a pa thojza tani mvaret. Nji burrë i ri i martuem, mundet me u quejtë djalë, se konsiderohet që rinia e tij asht pengesë për me u ba burrë. Punë pjekjeje. Boll keq, por për çikat asht ma ndryshe. Veç martohesh, edhe bahesh grue, kuptohet bahesh grueja e filanit. Përndryshe je veç femën. Nji grue e re e martume, nuk quhet ma çikë. Pjekunia s’ka të baj me te kurrgjo. Çikënia e saj asht cipë që shkyhet, nuk pjeket. Burrnimit si proces i shtohet pjekunia. Grunimit si proces i shkyhet nji cipë dhe i shtohet marrja. Edhe barra, gjykimi, edhe faji, edhe durimi! Ndërkohë që ashtu diçka si kerrit që i bjen vlera me të kalumet që i ban, asaj i bjen vlera me çvirgjërim ose ndrrim partnerësh. E njëjta, për “meshkujt” (me ose pa thojza) ka kuptim krejtësisht të kundërt.
Konfuzitet
Tue e pasë parasysh që fjala “grue” tek na përdoret si sinonim për “bashkëshorten” asht krijue nji konfuzitet që nëse thue “grue” je tue folë për nji grue të martume. Dhe grue e martume nënkupton “grueja e filanit”. Joooooo! A asht a s’asht e martume dikush ty nuk t’intereson. Gratë mujnë mos me u martue edhe hiç. Ato mujnë me pasë marrëdhanie seksuale edhe pa u martue, por mujnë edhe me u plakë virgjëresha. Punë për to. Ty s’të intereson!
Paramendone sa idiotike tingllon, kur dikush të drejtohet “zojë” e tani e korrigjon veten e thotë: “me fal se s’pe di a je e martume a jo” dhe bile para se me të pyet a je a martume të pyet “sa vjet i ke” se na bazë të moshës donë me llogaritë vetë se a je e martume a jo.
Burrat, natyrisht, e kanë ma lehtë, ata në çdo rast janë thjeshtë “zotni”.
Prej krejt këtyne arsyeve që i solla ish dashtë me mjaftue edhe kjo: grave nuk u pëlqen me iu drejtue si femën kur të folni për to, se ato nuk janë kafshë dhe ato janë ma shum se veç femna. A s’asht mjaft argument i fortë ky a?
Me thanë “femën” në vend të “grue” nuk asht nji mënyrë tjetër e të thanit grue. Asht mënyrë e gabume dhe jo e saktë e të thanit grue. Asht mënyrë seksiste e të thanit grue. Ku po don ma seksiste, kur i adresohesh nji njeriu kryekëput tue e quejt në emën të seksit të saj (dmth. gjinisë biologjike)? Nëse thoni femën, pra, ma mirë thoni vaginë. Kështu të paktën e dimë për çka e keni fjalën!/A.A.
Për të lexuar të gjithë artikullin, klikoni: sbunker.net