Thirrja e Ramës për vota ndaj grave pse ato janë gra, është e dëmshme shkruan Ilva tare
Edi Rama po bën një përpjekje serioze në këtë fushatë për të mbështetur gratë e kandiduara në 21 Qershor. Dhe ky është një lajm i mirë, sa për burrat aq dhe për gratë e këtij vendi. Problemi është se sa më seriozisht përpiqet Kryeministri aq më shumë rrezikon ta kthejë në qesharake fushatën pro kandidateve gra. Në ligjëratat publike me simpatizantët Rama i përmend gratë herë si gogol ndaj burrave të tyre, të cilët duhet të kenë frikë nga gratë në shtëpi dhe herë si të shumëpushtetshme aq sa për t’i marrë për dore burrat drejt kutisë së votimit ku duhet hedhur vota në “drejtimin e duhur” .
Në të dyja rastet gratë shihen si lidere apo vendimmarrëse në familjet e tyre, gjë që mund të jetë e vërtetë në disa raste dhe pavërtetë në të tjera. Ka shumë gra që nuk e kanë këtë autoritet dhe ndoshta as nuk kanë pse ta kenë. Imponimi është pjesë e karakterit individual dhe jo gjithmonë përdoret për qëllime të mira nga të dyja gjinitë. Gratë nuk janë të zonja vetëm sepse ua mbledhin burrave sic thotë Rama, por janë të zgjedhshme nëse kanë aftësi të menaxhojnë, organizojnë dhe drejtojnë me sukses ekipe që frymëzojnë dhe orientojnë mënyrën e punës drejt efektshmërisë dhe shërbimit më të mirë.
Gra kandidate për bashkitë që i kanë këto aftësi mund të ketë dhe kjo mbetet për tu parë sesi do t’i vlerësojnë zgjedhjësit në 21 Qershor. Porse batutat dhe thirrjet për të votuar pro grave vetëm pse i përkasin kësaj gjinie, apo sepse janë ‘të forta’ brenda kulmeve të tyre është e dëmshme dhe e panevojshme. Në këto dy dekada na kanë mjaftuar burrat e ‘fortë’ që janë votuar vetëm pse kanë qenë të tillë. Dhe prej muskujve të tyre kemi humbur shumë vite. Kemi humbur shpresën se qeverisja lokale apo ekzekutive bëhet me ashpërsinë e toneve, fallcitetin si mënyrë jetese dhe korruptimin deri në palcë edhe për shkak të të qenit të fortë dhe burra.
Unë jam përkrahëse e cdo gruaje që e kërkon votën sepse e sheh veten si menaxhere të mirë në shërbim të qytetarëve, të ndjeshme ndaj halleve të tyre dhe ekzekutive në vendimmarrje transparente dhe jo korruptive. Do të doja që edhe Kryeministri të bënte thirrje që të votoheshin gra dhe burra të tillë të cilitdo krah politik qofshin. Sikundër do të doja që nëse politikanët dhe qyetarët kanë dijeni për kandidatë burra dhe gra që nuk duhet të jenë as kandidatë e jo më kryebashkiakë të ardhshëm t’i ndëshkojë ata duke mos i votuar.
Disa kanë emra dhe mbiemra të ndryshuar apo jo, të tjerë janë qartazi të padenjë për të qenë administratorë të qyteteve, ndaj të dielën e 21 Qershorit vota popullore duhet të jetë refuzuese ndaj kandidatëve të tillë. Refuzues edhe ndaj liderëve që ua renditën emrat në listat e partive politike jo për meritë, por për pazare cantash me euro që kanë qarkulluar nëpër duart e zyrtarëve partiakë sic thuhet rëndom në tavolinat e mirëinformuara të Tiranës. Këta kandidatë nuk duhen votuar, qofshin edhe gra, madje edhe nga ato që kur i bien telefonit kanë efektin e sinjalit vibrues, i cili me c’thotë Kryeminsitri i tremb burrat.
/Javanews.al/