Të quajtura tradhtare, të rrahura dhe të përdhunuara: Tregimet e Gazetarëve Femra
Arzu Geybullayeva ishte një korrespondente e Agos, një gazetë armene javore dygjuhëshe e botuar në Stamboll, në vitin 2014, kur u përball me një fushatë të shëmtuar nga qeveria e Azerbajxhanit për të ulur besueshmërinë e saj tek Azerbajxhanasit.
Autoritetet e quajtën atë tradhtare sepse qeveria nuk ishte e kënaqur me raportimin e saj kritik.
“Po punoja shumë me armenët në atë kohë,” tha ajo. “Unë bashkë-drejtoja një organizatë të vogël jofitimprurëse që bëri programet e dialogut mes armenëve dhe azerbajxhanasve. Por gjëja qesharake është se, kur më quajtën tradhtare dhe më bënë armike shteti, ata kurrë nuk përmendën asgjë për raportimin tim kritik. Ata gjithmonë përmendën lidhjet e mia armene dhe se si unë isha duke shkruar për një gazetë armene në Stamboll … dhe se po shisja sekretet e qeverisë.”
Kjo, tha Geybullayeva, është ende një metodë shumë e zakonshme për të diskredituar gazetarët në Azerbajxhan.
“Kjo është mënyra më e lehtë për të marrë mbështetjen e publikut, sepse ne jemi në luftë me Armeninë dhe ka shumë njerëz të cilët ushqehen nga propaganda,” shtoi ajo.
Tregime nga gazetaret femra
Historia e saj është përfshirë në një libër të ri të lançuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, ose CPJ. Ai sjell së bashku ese nga gazetaret femra të cilat ndajnë tregime për kërcënimet dhe abuzimet në internet që ato kanë hasur gjatë raportimit.
Për lançimin e sulmeve në Shtyp të CPJ vjetor, u mbajt një panel diskutimi në Newseum në Washington, D.C., ku katër gazetare rrëfyen përjetimet e tyre të dhunës seksuale, ngacmimit online dhe diskriminimit me bazë gjinore.
Kryetarja e Bordit të CPJ, Sandy Rowe tha se ky edicion është një “qasje e ndryshme” për shkak se Komiteti vendosi të përqëndrohet në kryqëzimin e gjinisë dhe të lirisë së shtypit.
Nevoja për një libër si ky, thotë Rowe: U bë e qartë pesë vjet më parë, kur Lara Logan, korrespondente e CBS, u sulmua seksualisht, ndërsa mbulonte protestat në pranverën arabe në Egjipt.
“Pesë vjet më vonë, unë mund t’ju them se gjëndja është më e mirë në disa mënyra, dhe në disa të tjera, është më keq”, thotë Rowe.
Edhe pse fjalët mund të ndryshojnë botën, Rowe thotë se ato mund të bëjnë edhe “dëm të madh.” Ajo tregon për dëmin e shkaktuar nga ngacmuesit e internetit të cilët vënë nën objektiv gazetare femra për abuzim që përfshin kërcënime të dhunës fizike dhe seksuale.
“Mendoj se online, me siguri kemi parë shumë shpesh që gratë janë subjekt i shumë e më shumë abuzimi verbal si korrespondente të jashtëme”, tha Molly McCluskey, një korrespondente e pavarur e huaj.
McCluskey tha se ajo është ngacmuar në internet edhe për tregime neutrale të tilla si ato që japin këshilla financiare.
“Unë kam shkruar disa artikuj të financës personale për të paguar borxhet studentore apo si për të kursyer për kredinë ku kam pasur disa komente me të vërtetë të këqija”, tha ajo.
Sipas CPJ, platformat si Twitter lejojnë anonimitet ose pseudo-anonimitet për abuzuesit, ndërsa Facebook e ndalon anonimitetin, ose e bën atë më të vështirë.
Gratë kanë sugjeruar disa mendime për të zgjidhur disa nga këto çështje, të tilla si të kenë menaxherë në redaksi të cilët mund të ofrojnë mbështetje më të mirë, apo edhe një ndryshim të rregullores që të mund të kenë amonimitet në internet.
Të sulmuara dhe të rrahura
Logan, e cila mori pjesë në diskutim, tha se ajo e dinte që historia e saj ishte e nevojshme për tu thënë. Korrespondentja e CBS duroi të paktën 25 minuta të një sulmit brutal seksual dhe rrahje nga një turmë ditën kur sundimtari egjiptian Hosni Mubarak dha dorëheqjen nga pushteti.
Një mjek egjiptian i cili e trajtoi atë pasi ajo u çua në një vend të sigurtë në një hotel, refuzoi të dëgjonte atë që kishte ndodhur në Sheshin Tahrir të Kairos.
“Unë doja ti tregoja atë se çfarë kishte ndodhur me mua, dhe ai nuk donte ta dinte sepse ishte më shumë se sa ai mund të përballonte. Ai vetëm më thoshte,’Mjaft fole, je me fat që je gjallë,’”, tha ajo.
Askush nuk donte ta shikonte. Askush nuk donte të bisedonte me të. Në atë moment, ajo tha: “U ndjeva sikur u zhduka.”/A.A.