Të burgosurat e mentalitetit
Posted On 07/12/2016
0
Trending Now
Deklaratë për Shtyp
30/01/2025
Vajzë! Diskriminimi i saj fillon që në lindje. Fatin e femrës fillojnë ta shkruajnë gratë që mblidhen qosheve kur lind ajo; ato ia përcaktojnë rolin duke e mbështetur në përvojat e tyre të shoqëruara me lot e fjalë: “E mjera kjo ç’ka ka me përjetu”.
Sjelljet e saj duhet të jenë në përputhje me ato sjellje të nënës, gjyshes, stërgjyshes, gjithmonë në përputhje me praktikat burrërore. Aq mirë janë adaptuar me nënshtrimin ndaj burrave sa që përulja ndaj tyre shihet si ligj natyral. Madje, edhe nëse bën një gjest të mirë e ia mbush syrin të tjerëve koplimentohesh me lavdatën: “si me qenë burrë ke vepru”, sepse gratë në sytë e të tjerëve s’janë në gjendje të bëjnë diçka më shumë se lyerja e thonjve, fytyrës e rregullimi i flokëve.
Jemi në shek. 21 por, ende në rrugët tona hasim në burra që ecin para grave të tyre kokëlartë, e ato me qafën e kërrusur ia ruajnë shpinën burrave të tyre gjysmë metri prapa. E trajtimin e nëpërkëmbur nuk e kanë vetëm nga bashkëshortët, gratë diskriminohen edhe nga shoqëria përreth duke filluar nga familja ku rriten, sepse fryma konvencionale që femra duhet të edukohet në parim është në përputhje me rregulla si: Duhet të jetë një bashkëshorte e mirë që të gjejë një burrë si i ka hije me shijet e të tjerëve e nëse nuk është e zonja të gjejë vetë, përkujdesen të tjerët pa pikë problemi se po ndërhyjnë në jetën private.
Po ashtu, mësohen të kenë kritere si nëna të mira e gra të urta e asnjëherë si presidente të suksesshme, zjarrëfikëse të shkathëta, police të mbrehta etj.
Lëre që këto nuk janë as në rend, por dëgjon edhe fjalë se as në market nuk i lënë të shkojnë sepse do i shohë dikush, e për gra tjera puna nuk është e nevojshme meqë e kanë rrogën e burrit. Ajo duhet të luajë rolin e amvisës e shkollimi i saj avullohet nën hijen e vet.
E ato që guxojnë të flasin shihen si të pamoralshme sepse qytetërimi i shfaqur nëpër rrjete sociale vlen vetëm sa për sy e faqe, llafet e vërteta thuhen në kafe e asnjëra grua s’do i shpëtojë leksioneve moraliste nga të moralshmit e liçencuar ilegalisht. Këta moralistë e përcaktojnë personalitetin në bazë të veshjeve, ku minifundet flasin më shumë se këmbët e zhveshura; të vishesh bukur e grimohesh në asnjë formë nuk mund që brenda atyre flokëve të rregulluara të ketë mend.
E gjithë jeta e tyre është luftë. Ato janë ushatare që duhet të përballen gjatë gjithë jetës me luftën për barazi duke e ngritur zërin në vesh të shurdhër sepse përpos “shoqërisë moderne” as ligjet nuk i kanë në krah. Misioni i tyre nuk është vetëm shtimi i popullsisë, misioni i tyre nuk është vetëm shërbimi ndaj burrave, misioni i tyre nuk është vetëm martesa ku një unazë do i zgjidhë të gjitha problemet, e pas martesës: “deri këtu ishte jeta”. Ambiciet e tyre shkojnë më larg se paragjykimet e të tjerëve./A.A.
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.