Studimi/ Si ndikuan përmbytjet në Jug në shtimin e pabarazisë gjinore dhe dhunës ndaj grave
“Dosja Gjinore Shqipëri 2016” është një studim i përgatitur nga UN Women dhe UNDP, i cili trajton në një nga kapitujt e tij ndikimin e katastrofave natyrore tek gratë.
Si objekt studimi janë marrë përmbytjet e shkurtit të vitit 2015, të cilat shkatërruan rreth 15,000 ferma dhe përmbytën 1,400 shtëpi.
“Dëmtimet e të mbjellave dhe tokës ishin një shqetësim i madh për gratë, sepse ishte e qartë që ato pësuan dëme të mëdha në prodhime, si të atyre për konsum personal, ashtu edhe për shitje, përfshirë edhe humbje të bagëtive dhe ushqimit për bagëti, si dhe dëme në stalla, çka e përkeqësoi gjendjen e tyre më tej. Shqetësim të madh përbënin edhe dëmet në shtëpi, mobilje, pajisje shtëpiake dhe lagështira e vazhdueshme” thuhet në studim.
Përkeqësimi i situatës ekonomike ka ndikuar në shtimin e dhunës në familje, veçanërisht tek gratë kryefamiljare.

Kjo infografikë tregon se si këto përmbytje kanë ndikuar në shtimin hendekut gjinor dhe dhunës ndaj grave.
64% të intervistuarave kanë pohuar se pas përmbytjeve dhuna në familje është rritur. Ajo që tërheq vëmendjen është fakti se kjo shifër rezulton të jetë akoma më e lartë tek gratë kryefamiljare.
Studimi tregon se gratë ndikoheshin jo vetëm nga dhuna në familje, por edhe nga dhuna jashtë shtëpisë. Ato raportonin se në shpërndarjen e ndihmave nga zyrtarët e komunës, ishin trajtuar ndryshe nga burrat dhe këta të fundit kishin akses më të lehtë në stafin e komunës dhe përfitonin më shumë ndihma nga shteti.
/l.k./