Studimi i UN Women, Klosi: Suksesi i grave është pranuar kokulur nga burrat
U prezantua dje studimi i përgatitur nga Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor dhe UN Women mbi nivelin e përfaqësimit të grave në borde dhe pozicione drejtuese në kompanitë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.
Prezantimi i studimit i përgatitur nga Qendra për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor dhe UN Women mbi nivelin e përfaqësimit të grave në borde dhe pozicione drejtuese në kompanitë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri, u bë gjatë një konference të posaçme, ku morën pjesë ministri i MSR-së, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Ekonomisë, Adela Karapici, David Saunders, drejtori i UN Women për Shqipërinë, dhe Linda Rama në cilësinë e drejtueses së grupit të ekspertëve që kanë kryer studimin.
Në fjalën e tij, ministri Blendi Klosi tha: “Nuk përbën më lajm që një zonjë të zgjidhet ministre, nuk përbën më lajm që një zonjë të jetë drejtuese e suksesshme e një biznesi. Nuk përbën më një lajm që drejtuese e një njësie administrative apo bashkie të jetë një zonjë, po ashtu nuk përbën më lajm që të kandidojë një zonjë për kryetare bashkie, të jetë zëvendësministre një zonjë, të jetë një drejtore e përgjithshme në një institucion një zonjë tjetër. Prandaj, mendoj që duhet të ndihemi me fat që jemi kaq pranë realizimit të një prej aspiratave për të pasur barazi. Në fakt, po të shikojmë shifrat nuk jemi në atë nivelin e ideales, nuk jemi në nivelin e barazisë”.
Më tej, ministri Klosi theksoi se ajo që do të synojë MMSR nëpërmjet veprimeve dhe masave konkrete në strategjinë e re të barazisë gjinore do të jetë rritja e përfaqësimit të grave në bordet drejtuese e poste të larta nëpër kompani, duke respektuar edhe direktivat në kuadër të integrimit evropian.
Ndërsa Linda Rama tha se: “Numri i vajzave dhe grave të diplomuara është rritur vit pas viti dhe aktualisht janë më shumë gra me arsim universitar se sa burra për grup moshën 25-39 vjeç. Por një pamje e ndryshme paraqitet kur flitet për shkallën e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, e cila vijon të mbetet më e ulët se për burrat si dhe për përfaqësimin e tyre në nivelet e larta të vendimmarrjes dhe të menaxhimit të kompanive që operojnë në Shqipëri”.
Gjithashtu ajo shtoi se “kompanitë publike nën administrimin e qeverisjes lokale kanë vetëm 17.7 % gra anëtare bordi, ndërsa në 42 kompani të tilla nga 76 gjithsej asnjë grua nuk është në bord”./A.A.