Standardi i diskriminimit që na vjen (edhe)nga Perëndimi
Revista ekonomike “Monitor” sjell në vëmendje një statistikë me shumë rëndësi. Sipas INSTAT, kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri paguajnë me 34% më pak gratë sesa burrat.
Sipas “Monitor”, në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare gratë paguhen më pak se burrat por për kompanitë me pronësi të huaja diferenca është mjaft e lartë.
Sipas të dhënave të INSTAT, Paga mesatare mujore bruto për burrat e punësuar në ndërmarrjet e huaja, për vitin 2016 ishte rreth 83 mijë lekë, ndërsa për gratë, në po të njëjtën kategori rreth 55 mijë lekë, pra rreth 34% më e ulët.
Ky është hendeku më i madh gjinor sa i përket pagave në të gjitha llojet e ndërmarrjeve në Shqipëri.
Në kompanitë shqiptare sipas kësaj statistike “diferenca është 10.6%, po në favor burrave”, ndërkohë që “profesioni ku gratë paguhen më shumë se burrat është “drejtues administrativë dhe komercialë”.
“Punëdhënësit shqiptarë vlerësojnë më shumë gratë në drejtim, pasi edhe në grup profesionin “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”, gratë kanë një pagë mesatare mujore prej 86,619, rreth 2,200 lekë më të lartë se e kolegëve të tyre burra”, raporton “Monitor”.
Është e vështirë të kuptosh arsyet e këtij diferencimi që bëhet nga kompanitë e huaja, të cilat në masë të madhe kanë origjinë nga Perëndimi. Pra nga vende që aplikojnë standarde dhe ndjekin ndaj Shqipërisë një politikë mbushur me kërkesa për mosdiskriminim, barazi gjinore etj.. Nuk dihet nëse ky diskriminim i kompanive që vijnë prej këtyre vendeve mund të jetë objekt i trajtimit ligjor në shtetet përkatëse, por fakti këtu është se bashkë me predikimet e pafundme dhe trajnimin prej disa dekadash sesi shqiptarët duhet të bëhen evropianë, po vijnë edhe standardet e një diskriminimi që më së paku kërkon hulumtime për t’u kuptuar pse ndodh.
/l.k./