Spanja shqyrton pretendimet për diskriminim gjinor në Kongresin Botëror të Celularëve

Pas raportit të një prej sindikatave të punës, autoritetet katalane kanë hapur një hetim në lidhje me pretendimet për diskriminim seksist në përzgjedhjen e mikpritëses (hostess), për të punuar në Kongresin Botëror të Celularëve (MWC) në Barcelonë.
“Kush thotë se madhësia nuk ka rëndësi? E pra, në këtë rast, sigurisht që mikpritëset më të gjata se 1.75 metra, fitojnë më shumë se koleget e tyre nën këtë gjatësi,” deklarohet në raportin e Bashkimit të Përgjithshëm të Punëtorëve të Katalonjës (UGT).
“Kemi gjetur një reklamë pune specifike që thotë se duhet të vishni një fund të shkurtër, pantallona të holla, taka të larta të paktën 5 centimetra, grim… Në një ofertë të posaçme, bëhet një dallim pagash duke u nisur nga gjatësia e punonjësit,” tha Nuria Gigaldo, Sekretare e Politikave të Sindikatave të UGT.
Oferta në fjalë, e postuar në faqen spanjolle të internetit për punësimin, që më pas u fshi, përcaktonte se paga për mikpritëset nën 1.75 metra, ishte 6.20 euro në orë, krahasuar me 7.20 euro për koleget e tyre më të gjata.
Kërkesa të tjera në reklama pune, të postuara në mediat sociale, përfshinin dhe masa të caktuara në bel si, 36 ose 38.
Organizatorët mohojnë akuzat për diskriminim
Claire Cranton, drejtoreshë e PR në GSMA, mohoi fuqishëm akuzat. Kompania e saj u kontraktua nga Kongresi Botëror i Celularëve për të siguruar logjistikën në lidhje me organizimin.
“Ne jemi të bindur se stafit të punësuar (…) nuk i kërkohet të përmbushë një grup të papranueshëm standardesh për punësim në MWC Barcelona,” tha Cranton. “Ne presim që të gjithë të pranishmit, duke përfshirë dhe stafin e përkohshëm që ne të punësojmë, të vishen në mënyrë të përshtatshme sa i përket fushës së biznesit. Ekipi mikpritës është i pajisur me një uniformë, pantallona të zeza ose fund (deri te gjunjtë) dhe bluzë të bardhë me xhaketë të zezë dhe një shall të kuq. Ne nuk specifikojmë gjatësinë, peshën, masën e veshjeve etj. Pretendimet e tjera janë plotësisht të rreme,” vazhdoi ajo.
Pau Mascort, kreu i menaxhimit të projektit të agjencisë së stërvitjes Tais, e cili ishte ndër ata që ishin përgjegjës për rekrutimin, tha se ata nuk po përqendroheshin në ndonjë veçori të veçantë fizike, ndonëse pati prezantime të shkëlqyeshme sa i përket pozicionit. “Ka një tendencë të re për klientët që të kërkojnë profile të veçanta,” tha ai. “Nuk është diskriminim, ne jemi në dispozicion për kërkesat e konsumatorëve”.
Gazetarja e Euronews, Emma Beswick, e cila mbulonte Kongresin Botëror të Rrjetit Celular, tha se nuk vuri re se një lloj “tipologjie” personash të punësuar për të qenë në tribunë. “Shumica duket se janë studentë apo përfaqësues të komunikimit direkt nga kompanitë ekspozuese,” tha ajo, duke vënë në dukje se kishte më shumë gra, sesa burra të punësuar në atë event.
Kongresi mbahet çdo vit në Barcelonë dhe njihet si ngjarja më e madhe e teknologjisë së lëvizshme në botë./l.k/
Burimi: EuroNews