Solidaritet dhe miqësi: Igballe Rogova dhe Lepa Mladjenovic në Femart
Shkruar nga: Hana Marku
Më kujtohen shumë mirë Igballe Rogova dhe Lepa Mladjenovic. Ishte dhjetor i vitit 2012, nata që Kosovo 2.0 lançoi numrin e saj të revistës mbi seksin, seksualitetin dhe komunitetin LGBT në Ballkan. Unë punoja për Kosovo 2.0 në atë kohë. Atë mbrëmje vendi ynë u shkatërrua nga një grup burrash. Një nga kolegët tanë u rrah. Forcat speciale të policisë u thirrën për të mbrojtur njerëzit brenda ndërtesës. Ndërkohë që mbrëmja vazhdoi, qindra burra të zemëruar rrethuan vendin, duke na quajtur pederasta dhe duke hedhur gjëra në drejtimin tonë.
Më kujtohen Igballe dhe Lepa sepse dukeshin çuditërisht të qeta. Lepa erdhi tek unë dhe më mbajti dorën – nuk e kisha kuptuar, por isha duke u dridhur. Ato buzëqeshën dhe më dhanë siguri – sikur ta kishin parë të gjithë këtë më parë. Dhe sigurisht, ato e kishin parë. Të dyja janë haptazi aktiviste lezbike feministe. Rogova ka punuar gjatë 1990 me gratë dhe vajzat në disa nga pjesët më të izoluara të Kosovës, nën kërcënimin e vazhdueshëm të policisë serbe. Mladjenovic është një nga themelueset e shoqatës Gratë në të Zeza të Serbisë, një lëvizje kundër luftës që u përball me presion të madh për protestën e saj kundër luftërave të Serbisë në Kosovë, Bosnje dhe gjetiu.
Miqësia e tyre është njëzet vjeçare. Që të kuptojmë vërtetë dimensionet e shumta të miqësisë së tyre – si gra, si lezbike, si një shqiptare dhe një serbe – unë me të vërtetë sugjeroj që të merrni një kopje të numrit të Kosovo 2.0 mbi çështjen e seksit, në të cilën të dyja gratë shkruan letra publike me njëra-tjetrën. Rogova e përshkruan Mladjenovic si një këshilltare, dikush që i mësoi asaj fuqinë e protestimit në heshtje, me trupin tënd, kundër regjimeve shtypëse. Mladjenovic i jep merita Rugovës duke e përballur atë me tërësinë e kontrollit të Serbisë mbi Kosovën dhe përgjegjësinë e saj për të vepruar.
Në Festivalin Femart, të dyja gratë u ftuan për të folur mbi modelin e tyre të aktivizmit feminist. Para se të flasin, audienca pa një dokumentar të titulluar “If We Can Dance” (2013) nga regjisori Siobhan Cleary. Dokumentari tregon punën dhe jetën e grave aktiviste shqiptare të Kosovës gjatë viteve të aparteidit të viteve 1990 – duke përfshirë Rogovën. Igballe Rogova dhe motra e saj Safete krijuan një organizatë të quajtur Motrat Qiriazi, e cila ka punuar me gratë dhe vajzat në fshatra të izoluara në zonën jug-lindore të Hasit.
Ato ndërtuan shkolla, hapën biblioteka, bindën baballarë që të linin vajzat të shkojnë në shkollë, luftuan analfabetizmin, dhe kanë mbajtur takime të ngjashme me atë që ne do ta quanim ngritja e vetëdijes për gratë dhe vajzat e Hasit. Ato bënë punën e tyre në një kohë kur arsimi shqiptar në Kosovë ishte ndaluar, nën kërcënimin e vazhdueshëm të pikave të kontrollit të policisë dhe arrestimit. Rogova përfundon duke vazhduar punën e saj me gratë dhe vajzat në një kamp refugjatësh në Maqedoni menjëherë pas luftës. Në “Çadrën e Grave”, Rogova i bën të këndojnë, të hedhin valle, dhe të organizojnë koncerte në një përpjekje për të ngritur shpirtrat e tyre.
Pas shfaqjes së dokumentarit, Rogova shpjegon se si Mladjenovic vizitoi kampin, nën pretekstin se ishte një grua italiane me emrin “Maria.” Ajo vazhdon të shpjegojë se si filloi miqësia e tyre, kur ajo shkoi të vizitojë Gratë në të Zeza në Beograd në mes të vitit 1990. “Julie Mertus më tha:”a e di se ka gra në Beograd që protestojnë kundër Millosheviçit? ” Nuk e besova. Duhet ta shikoja me sytë e mi”, tha Rogova. Kjo vizitë do të çojë në dy dekada ndarje ideshë, libra, përvoja me Mladjenovic – por edhe vallëzimi.
Mladjenovic e përshkruan vizitën e saj në Prishtinë në vitet 1995 dhe 1996 për të marrë pjesë në “partinë e grave” organizuar privatisht në restorante në pronësi të të njohurve të Rogovës. Ajo e përshkruan atë parti si një mundësi për ta njohur me të vërtetë “tjetrin”.”Vallëzimi është një akt politik”, thotë Mladjenovic, ” është shërues dhe është një mënyrë se si të tregojmë solidaritet me tjetrin, duke treguar se ju doni të njihni muzikën dhe vallet e tjetrit.”
Miqësia e tyre solli gjithashtu edhe mësime të errëta. “Kam mësuar për frikën [në Kosovë gjatë vitit 1990]”, Mladjenovic thotë, “një nga metodat klasike të fashizmit është kontrolli me anë të frikës.” Gjatë bombardimeve të NATO-s dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova, ajo i telefononte Rogovës çdo ditë për tre ditë me rradhë për të parë nëse ajo ishte në rregull. “Në ditën e tretë, Igballe tha:” Nuk mund të flas. Policia është në prag të derës “, thotë Mladjenovic.
Të dyja gratë kanë parë koston e madhe njerëzore të luftës dhe dhunës. Mësimi që ato duket se kanë marrë nga kjo krizë është vlera radikale dhe politike e miqësisë – ajo lloj miqësie që shtypja dhe urrejtja nuk mund ta prekin./A.A.