Tamponët, pecetat sanitare(linesat) dhe produkte të tjera për menstruacionet do të jenë falas në Skoci.
Skocia u bë vendi i parë në botë që vë në dispozicion falas produktet e higjienës femërore kur Parlamenti Skocez miratoi unanimisht Aktin e Produkteve për Menstruacionet të martën në mbrëmje.
Ligji kërkon që autoritetet lokale të sigurojnë që produktet për menstruacionet, si psh. tamponat ose pecetatsanitare(linesat), të jenë në dispozicion falas në zonën e tyre. Shkollat, universitetet dhe institucionet e tjera arsimore duhet gjithashtu të kenë produkte të menstruacioneve falas në tualetet e tyre, po ashtu edhe një numër ndërtesash publike.
Deputetja dhe gjithashtu zëdhënësja për shëndetin dhe sportin e partisë Scottish Labour, Monica Lennon prezantoi projekt-ligjin në Prill të vitit 2019 dhe i drejtoi vetë përpjekjet legjislative. “Menstruacionet nuk duhet të jenë kurrë pengesë për arsimimin ose të shtyjnë dikë në varfëri,” tha Lennon. “Gratë, vajzat dhe të gjithë njerëzit që kanë menstruacione meritojnë dinjitet gjatë asaj periudhe,” shtoi ajo.
Një studim I zhvilluar në maj të këtij viti nga Plan International UK zbuloi se 30 përqind e vajzave të moshës 14-21 vjeç kishin patur vështirësi për të aksesuar produktet sanitare gjatë karantinimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Lennon falënderoi aktivistët që luajtën një rol të rëndësishëm në fushatën për këtë masë, si dhe pararendësit si këshilli i North Ayrshire, i cili kishte zbatuar një politikë të produkteve sanitare falas në vitin 2018.
Ministrja e Parë Skoceze Nicola Sturgeon tha se ishte “krenare që votoi për këtë legjislacion novator”.
Megjithëse Skocia është kombi i parë që vendos higjienën femërore të disponueshme falas për të gjithë, një pjesë e vogël vendesh kanë ndaluar “taksën e tamponit” – vendosjen e TVSH-së në produktet sanitare.
Në Evropë, Irlanda është i vetmi vend pa taksë mbi tamponët. BE-ja lejon vetëm përjashtime të TVSH-së me normë zero për produktet të cilat ishin vlerësuar me normë zero para legjislacionit të BE-së.
TATIMI I KRAHASUAR PËR TAMPONËT
Taksimi mbi produktet e higjienës menstruale varion nga 27 përqind e vlerës së shtuar të tatimit në Hungari deri në 0% në Irlandë që është i vetmi vend në BE që nuk ka taksë mbi produktet menstruale.
TVSH për produktet e higjienës menstruale sipas vendeve/A.A.
BURIMI: Eurostat
Hungari | 27% |
Kroaci | 25% |
Danimarkë | 25% |
Suedi | 25% |
Finlandë | 24% |
Greqi | 23% |
Itali | 22% |
Ceki | 21% |
Letoni | 21% |
Lituani | 21% |
Bullgari | 20% |
Rumani | 19% |
Luxemburg | 17% |
Austri | 10% |
Sllovaki | 10% |
Spanjë | 10% |
Slloveni | 9.5% |
Estoni | 9% |
Poloni | 8% |
Gjermani | 7% |
Belgjikë | 6% |
Hollandë | 6% |
Portugali | 6% |
Francë | 5.5% |
Qipro | 5% |
Irlandë | 0% |