Si mbrohet një krim!
Nga Jonida Hitoveizi* (Në foto vajza gjatë rrëfimit të historisë)
Vajza, e cila në emisionin “E Diela Shqiptare” rrëfeu abuzimin seksual për 7 vite nga babai i saj, shkaktoi stuhi mediatike dhe u publikua kudo si lajm. Por vetëm si një lajm i kobshëm, me krim, seks dhe abuzim. Askush nuk shkoi përtej dëshmisë së vajzës, e cila kishte gjetur guximin ta tregonte historinë e saj në ekran, por nuk kishte gjetur kurrë forcën të dënonconte babain e saj përdhunues.
Viktimat e abuzimit jetojnë nën terrorin e frikës dhe të turpit, por në rastin kur një femër denoncoi publikisht babain e saj, i cili i kishte shkatërruar jetën për shkak të abuzimit seksual të vazhdueshëm, “çdo natë, çdo ditë, për 7 vjet rresht”, ngjarja e hidhur u shit vetëm si lajm. Askund nuk u dëgjua se babai i kësaj vajze do të denoncohej dhe se prokuroria nisur nga dëshmia e së resë do të hapte një hetim dhe do të lëshonte direkt urdhër arresti.
Abuzimi seksual me të mitur përbën krim të rëndë penal dhe fakti që ky “baba” po mbrohet pasi vajza e tij tregoi tmerret që kishte kaluar, përbën një krim edhe më të madh.
Ç’vlerë ka tregimi i kësaj historie, nëse ne të gjithë po mbrojmë babain e saj?
Nëse dikush mendon se po i mbrohet “nami” a “nderi” vajzës gabon, sepse ajo vajzë nëse ka kaluar atë traum, nuk e di më se ç’kuptim kanë këto fjalë.
Ajo vet pohoi se ishte katandisur në një qënie pa zemër e pa ndjenja, pra e dorëzuar dhe e shkatërruar. Historinë e saj rrënqethëse ia ka rrëfyer ish-bashkëshortit të saj, i cili po ashtu ka reaguar me indiferencë duke e përzënë nga shtëpia.
Dhe sa për arsyet se përse e ka ndarë gruan, besoj se do ketë folur në gjithë fshatin si shoqëri thashethemexhie që jemi. Pra, nëse gjërat kanë shkuar kështu historinë e dinë disa veta, dinë edhe emrin e pedofilit dhe ku jeton, por rasti po kalon si një histori normale, thua se kemi dëgjuar se si bëhen japrakët me mish. Rasti duhet të merret shumë seriozisht si nga organet hetimore, por edhe nga media e shoqëria. Apo duhet patjetër që krimi të degjenerojë në vrasje, siç ndodhi me Naizme Vishën, që strukturat dhe shoqëria të reagojë dhe të tregojë mëshirën e saj apo të kërkojë ndëshkimin e abuzuesve të tillë dhe t’i hedhim prangat “krimit”.
Vajza pohoi se abuzimi kishte ndaluar kur ishte larguar nga familja, diku në adoleshencë për tu martuar, por tani që ishte rikthyer sërish në familje pas divorcit, shihej si femër e pamoralshme dhe i ati, sipas vet asaj nuk abuzonte më me të. Historia tregon qartazi se i ati i saj është pedofil dhe se e bija nuk i intersonte më si subjekt abuzimi pasi arriti moshë madhore.
Tani ai endet i lirë, një kriminel në kërkim të viktimave të tjera, që mund të jenë mbesat e tij, vajzat e komshinjve, të motrave apo vëllezërve, sepse askush nuk mund të thotë që viktima e vetme e abuzimit të tij është vetëm e bija.
Ai që s’ka mundur dot të ndalë sëmundjen e tij as tek fëmija i vet, si mund të mendohet se nuk abuzon aktualisht me të mitur të tjerë? Që si ajo vajzë mund të ketë ende viktima të tjera? Dhe që ne e shitëm thjsht si lajm-ngjarje, që policia nuk pyeti më tej, që prokuroria s’po hap një hetim, që u mbyllën sytë e veshët.
Vajza u bëri thirrje për denoncim viktimave të tjera të abuzimeve seksuale, por si mund të dëgjohet zëri i saj, kur ajo vet e mbytur në turp dhe dëshpërim vazhdon të jetojë në shtëpi me abuzuesin e saj.
Këtij rasti i duhet shkuar në fund, sepse ne nuk mund të kthehemi as në media dhe as në shoqëri që të fshehim një krim. Prokuroria duhet të niste çështjen “kryesisht”, policia duhet të siguronte viktimën, ndërsa media duhet të zhbirojë krimin.Përndryshe histori të tilla rrezikojnë të ngjajnë të trilluara dhe në shërbim vetëm të “skupit mediatik”, por që nuk kanë asnjë efekt në përmirësimin e shoqërisë. Këtu jemi para një krimi të tmerrshëm, të cilit i duhet shkuar deri në fund. Ndryshe ka rrezik të perceptohet, që jemi para një “krijimi” që i jep fund profesionit tonë.
*/TemA/