Trafkimi i qënieve njerëzore është një ndër fenomenet më negative që ka shoqëruar tranzicionin e gjatë në Shqipëri pas vitit 90. Siç njofton gazetarja Mimoza Picari në materialin e përgatitur për Zërin e Amerikës, numri i grave dhe vajzave të trafikuara dhe të identifikuara nga strukturat përgjegjëse është rreth 100 në vit, ndërsa numri real brenda dhe jashtë vendit nuk mund të përcaktohet për aq kohë sa ato mbeten të paraportuara.
Drejtues të organizatave joqeveritare vërejnë me shqetësim uljen e numrit të identifikimeve, uljen e moshës së vajzave të trafikuara nën 18 vjeç, si dhe rritjen e trafikimit të brendshëm. Qeveria shqiptare, e cila ka krijuar dhe një organizëm të gjerë me shumë aktorë, që drejtohet nga Kordinatori kombëtar për çështjet e trafikimit, i është përgjigjur kritikave në vijimësi, me një plan veprimi të hartuar së fundi. Zyrtarët shmangin akuzat se ka rënë vëmendja ndaj trafikimit për shkak të përqendrimit të energjive të qeverisë në luftën ndaj drogës, duke argumentuar se grupet kriminale që janë goditur kanë patur ndër aktivitetet e tyre përveç drogës edhe trafikimin.
Trafikimi i grave dhe vajzave për shfrytëzim prostitucioni ka prekur mjaft familje shqiptare. Një dëshmi tronditëse, sjell një grua në qendrën Vatra në Vlorë.
Denoncuesja: “Më tha do të çoj tek një çift, tek një shoku im si fillim. Pastaj do të vij të të marr pas një muaji prapë. Ky çifti faktikisht trafikonte vajza. I merrnin, i transportonin, i çonin në Itali, u bënin pasaporta false. Më thonin që duhej të shkoja me të tjerë. Dilja natën veja nëpër hotele. Dhe e bëja sepse ndryshe më rrihte. Nuk duronte fare fare, asnjë pyetje. Dhe këtë gjë e kuptova por nuk e ndryshoja dot”.
Qendra Vatra që prej vitit 2001 kur shndërrua në strehimore, ka trajtuar mbi 1 mijë e 600 gra dhe vajza, si kjo grua, që i kanë shpëtuar trafikantëve. Pas saj janë krijuar dhe tre të tjera, mes tyre dhe ajo shtetërore në periferi të Tiranës që ka ofruar shërbime për mbi 600 gra dhe vajza viktima të trafikut. Shërbimet që ofrojnë ato janë thuajse të njëjta.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në 9 muajt e parë të këtij viti regjistrohen 20 viktima më pak të trafikut të qenieve njerëzore, të identifikuara, se në të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Zyrtarët e qeverisë e lexojnë si sukses, por drejtuesit e organizatave joqeveritare mendojnë se kjo lidhet me rënien e numrit të identifikimeve dhe jo me zbutjen e fenomenit të trafikimit. Në nivel kombëtar numri i viktimave të mundshme të trafikimit të identifikuara është rreth 100 në vit. Ndërkohë numri real i grave dhe vajzave të trafikuara brenda dhe jashtë vendit mbetet i panjohur për aq kohë sa ato janë të paidentifikuara./ k.j
Burimi: Zëri i Amerikës