Shege Bahtiri – Për gratë që shkruajnë fatin e tyre
Këto pyetjet e fëmijërisë erdhën e u shuan me kohë, por përgjigja e Jane Goodall do të mbetet përgjithnjë: “Të jesh grua nuk ka pse të jetë pengesë. Përkundrazi, ajo mund të jetë një epërsi”.
Edhe pse Jane studioi shimpanzetë për 45 vite dhe kështu e transformoi këtë fushë shkencore, ajo nuk ishte gjithnjë kaq e suksesshme. Nëpër fillesa ajo ishte veç një fëmijë kureshtar, si unë, si shumë vajza të tjera, me pyetje në kokë, përgjigjet e të cilave i gjeti në xhungël. E sa i përket pyetjeve të mia, e tëra kjo nuk e ndaloi të martohej dy herë, si dhe të kishte një fëmijë. Jane ishte shkencëtare, ishte bashkëshorte, ishte edhe nënë.
Kur si e vogël ajo kishte rrëfyer se dëshiron të shkojë në xhungël për të studiuar shimpanzetë, të tjerët i kishin thënë “Hajde Jane, bëhu reale! Kjo nuk është për vajza!”, thua se kjo dëshirë ishte diçka fanta-shkencore. Organizatat e ndryshme e përcollën me kritika procesin e punës së saj, e njerëzit thjesht nuk besonin se një grua mund ta gjente vendin e saj në xhungël.
Nëse shimpanzetë nuk janë stili juaj, atëherë bëni siç bëri shkencëtarja franceze Margaret Fountaine. Njerëzit gjithnjë e përmendnin se Margaret nuk u martua asnjëherë dhe vështirë pranonin portretin e një gruaje të pavarur, pa një unazë martesore në gisht. E megjithatë, ajo vrapoi e lirë pas fluturave nëpër kontinente të ndryshme, duke zbuluar kështu 22 mijë specie! Ju e njihni Nikola Tesla-n, Isaac Newton apo Jean Paul-Sartre. Ajo që mund të mos dini është se edhe këta të tre shkencëtarë nuk u martuan kurrë, por për dallim me Margaret, këta nuk i gjykoi askush.
Nëse edhe kaq nuk mjafton, shkoni përtej kafshëve dhe insekteve, atje ku shkoi matematikania Maryam Mirzakhani, laureate e Fields Medal, çmimit më të lartë në matematikë. Ajo heshti kështu zërat se gratë nuk ua thonë numrave, duke renditur suksese të panumërta. Ndër të tjera, për këto arritje ajo mund të ketë sakrifikuar shumëçka, por jo familjen, duke qenë se ajo gjithashtu është nënë e një vajze të vogël.
Natyra dinamike e shkencës premton se rrethanat për gratë do të ndryshojnë për të mirë, por tani për tani, një gjë është kristal e qartë: Se a është më mirë të jesh nënë, shkencëtare-nënë, apo vetëm shkencëtare, nuk i përket shoqërisë ta vendosë. Secila grua në botë ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e së ardhmes në mënyrë të pavarur, qoftë kjo amvisëria apo medaljet shkencore.
E megjithatë, skema e përgjithshme shoqërore e sheh një grua një meso-moshë pranë një burri dhe fëmijëve. Nga ajo pritet të jetë konformiste, tradicionale, kuzhiniere e mirë dhe një shembull për fëmijët e saj. Kjo skemë mund të funksionojë për një numër grash, por çka për kureshtaret, aventurieret, hulumtueset, novatoret, nismëtaret dhe intelektualet? Si mund të mbështetet një skemë gjinore që mohon pjesën më të madhe të karakteristikave të rëndësishme njerëzore?
Në fund të ditës, përkundër të gjitha mundësive tjera, nëse ato thjesht dëshirojnë të kenë një shtëpi të bukur me kopsht ku luajnë fëmijët, edhe kjo është në rregull. Rëndësi ka që iu takon atyre të vendosin midis shimpanzeve për t’i studiuar, fluturave për t’i ndjekur dhe medaljeve për t’i fituar. Unë dhe ti mund të mos duam të hedhim dritë mbi shkencë, por kjo nuk na jep të drejtën t’ua zëmë diellin atyre që duan.
http://www.16days-noviolence-ks.com/?FaqeID=19&day=28