Rrugëtimi i Rinës për të sfiduar stereotipet
Në botë 1.1 miliard vajza janë pjesë e një brezi të madh global gati për të çuar të ardhmen përpara. Megjithatë, ambicia për barazi gjinore në Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (OZHQ-të) thekson mbizotërimin e disavantazhit dhe diskriminimit që vajzat përballen kudo në baza ditore. Tema e këtij viti është “Të arriturat e vajzave – Arritja e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”. Kjo temë thekson potencialin e QZHQ për të arritur barazinë gjinore dhe për të arritur progres te vajzat. Megjithatë shumë shpesh dija dhe informatat mungojnë e pikërisht për këtë arsye Rina nga Drenasi vendosi të bëjë diçka në këtë drejtim.
“Si mund të shpëtojmë nga stereotipet gjinore në shoqëri, në mënyrë që gratë të kenë të drejta pronësore?” Një pyetje të cilën Rina Shabani, një vajzë 16 vjeçare nga Drenasi vazhdimisht ia shtron vetes.
“Të drejtat pronësore janë një problem i madh këtu; ka shumë pak gra të cilat trashëgojnë prone,” thotë Rina. “ Drenasi është një vend i pazhvilluar, një vend ku të rinjtë si unë përballen me shumë probleme dhe stereotipet gjinore janë pjesë e tyre, gjë e cila më ka shtyrë që të marr pjesë në aktivitetet që lidhen me barazinë gjinore.”
Të jesh vajzë në shoqërinë patriarkale të Kosovës nuk është gjë e lehtë. Stereotipet gjinore dhe diskriminimi me bazë gjinore janë tepër të pranishme dhe gratë janë të privuara nga të drejtat themelore të cilat u takojnë. Sigurisht që të drejtat për trashëgimi pronësor nuk bëjnë përjashtim këtu; grave në Kosovë historikisht u është mohuar kjo e drejtë.
Rina dëshironte të bënte diçka lidhur me këtë. Në moshën 16 vjeçare ajo u bë një themeluese e re pasi që mori pjesë në programin e Laboratorit të Inovacioneve të UNICEF-it ‘UPSHIFT’: Punëtoria e Ndikimit Social, një program i dizajnuar në atë formë që t’i bëjë të rinjtë nga Kosova agjentë të ndryshimit social duke i bërë udhëheqës përgjegjës për gjetjen e zgjidhjeve të problemeve me të cilat ata përballen. Bashkë me 4 bashkëmoshatarë të saj, ajo themeloi iniciativën “Trashëgimia Pronësore”. Synimi i tyre gjithëpërfshirës ishte përdorimi i aktiviteteve për ngritje të vetëdijësimit në mënyrë që t’i largojnë stereotipet gjinore dhe të luftojnë për barazi gjinore në të drejtat pronësore.
“UPSHIFT ka qenë si fole e vogël për mua ku kam mësuar shumë dhe e kam marrë përsipër një sfidë për të cilën shpresoj të gjej një zgjidhje,” thotë Rina. “Ka qenë një punëtori dinamike ku kam takuar njerëz me energji jashtëzakonisht pozitive, të cilët na kanë mbështetur dhe vazhdojnë të na mbështesin në gjetjen e zgjidhjeve për sfidat tona.”
Rrugëtimi i Rinës për të luftuar për të drejtat pronësore të grave ka filluar disa muaj para punëtorisë. Në mars të vitit 2016, ajo ka bashkë-organizuar një debat në Drenas mbi barazinë gjinore dhe shumë të rinj janë shprehur se nuk ka asnjë arsye që gratë dhe vajzat të posedojnë pronë. Këtu Rina dhe bashkëmoshatarët e saj e kuptuan peshën e këtij problemi dhe vendosën të aplikojnë në UPSHIFT për të gjetur një zgjidhje.
Sipas Rinës, një tjetër arsye që e ka shtyrë për t’a ngritur zërin kundër mungesës së të drejtave të grave për pronësi, ishin pasojat që kjo çështje po sillte, siç janë diskriminimi i grave, martesat e hershme, liria e shprehjes dhe çështjet ekonomike.
“E drejta pronësore është një problem i madh dhe shumë faktorë kanë ndikuar në të, siç janë stereotipet gjinore, sistemi patriarkal, frika e ngritjes së zërit si femër, etj,” thotë Rina. “Ne kemi vendosur që të merremi veçanërisht me të rinjtë pasi që besojmë se shumica e ndryshimeve pozitive duhet të fillojnë nga të rinjtë.”
Grupi i Rinës mbajti disa prezantime në shkolla në Drenas duke i informuar studentët e rinj për të drejtat pronësore të grave dhe kanë kërkuar prej tyre që të shkruanin ese të shkurtëra apo poezi që pastaj do të botoheshin në revistën e tyre të quajtur “së bashku për barazi”. Ata gjithashtu organizuan debate dhe trajnime, të gjitha në kuadër të aktiviteteve të tyre për ngritjen e vetëdijesimit që të rinjtë e Drenasit të jenë të informuar për sfidat e shumta me të cilat përballen gratë në shoqërinë kosovare.
Rina është gjithashtu një shembull për aktivistët e rinj. Ajo është pjesë e Klubit të Ambasadorëve të Rinj dhe është gjithashtu udhëheqësja e të rinjve në degën e Kryqit të Kuq në Drenas, Kosovë. Ajo është vullnetare në Iniciativën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe gjithashtu koordinatore lokale e Rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatarë në Drenas.
Por, për vajzat si Rina, qytetaria aktive nuk është e gjitha ‘një fushë me lule’. Rolet tradicionale gjinore mund të jenë shumë të dëmshme për gratë sepse mund të krijojnë ideale të paarritshme për atë se çfarë nënkupton të jesh grua. Shembuj të këtyre idealeve janë se gratë duhet të jenë tërheqëse, kujdestare të mira, gra dhe nëna të mira, të cilat punojnë pa pushim brenda dhe jashtë shtëpisë.
Një nga rezultatet më të dukshme negative të këtyre roleve të rrënjosura gjinore është ndarja e thellë e profesioneve në Kosovë. Shkalla e ulët e grave që trashëgojnë pronë është gjithashtu rezultat i drejtpërdrejtë i roleve tradicionale të rrënjosura gjinore. Sipas roleve gjinore gratë patjetër duhet të martohen në moshë të caktuar dhe të kalojnë tek shtëpia dhe familja e bashkëshortit. Ky rol tradicional ka bërë që shumë gra të mos marrin pronë nga familjet e tyre, gjë që u garantohet me ligj.
Përmes angazhimeve të saj, Rina është duke i sfiduar drejtpërdrejtë rolet e paracaktuara gjinore në Kosovë. Por, ka me mijëra vajza të reja dhe gra të afta që bien pre e këtyre roleve dhe si rezultat nuk e përmbushin kurrë potencialin e tyre të plotë.
Mesazhi i Rinës për të rinjtë e Kosovës është që të besohet në trajtimin e barabartë të grave dhe burrave në shoqëri. “Për shumë gra që janë në procedura ligjore për çështje të pronës, shpresoj që kurrë të mos ndaleni duke i kërkuar të drejtat tuaja, pavarësisht se një gjë e tillë është e vështirë në shoqërinë tonë patriarkale,” thotë ajo.
“Nuk është e lehtë të sfidohen stereotipet, por shoqëria nuk ndryshon nëse nuk filloni së pari ta ndryshoni vetveten”./A.A.