Rrëfimi i të dhunuarës gjatë luftës, që edhe sot po përjeton dhunim(Video)
Traumat e luftës nuk ia hoqi liria. Për të nuk pati ditë të lumtura pas lufte. Mbeti e mbyllur me dhimbjen që ka zënë vend në shpirtin e saj që nga viti ’99. Nëse nuk do të jetonte në një shoqëri të tillë, me paragjykime e ofendime, ndoshta ajo do ta ngrinte kokën, e derë më derë, nëpër institucionet përgjegjëse, do të kërkonte atë që i takon. Por si të dalë në rrugë e të ngrejë zërin?! Rrethi ia mbylli gojën, nuk e nxjerr dot fjalën. Nuk merr guxim të dalë të bërtasë në kryeqendër dhe të bëjë presion për përshpejtimin e procedurave të rregullimit të pensionit, mungesa e së cilit sot po e lë pa bukë. Gjendja e rëndë socio-ekonomiko, dita-ditës po e keqëson atë.
Këtu sjellim rrëfimin e gruas që ishte viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilën sot vetëm frymëmarrja e vështirësuar e mban gjallë.
Njëherë mendoi se dhuna seksuale që përjetoi ishte i vetmi tmerr në jetën e saj. Por dhunimi po zgjat. Dita-ditës jeta po i shndërrohet në ferr nga situata ekonomike dhe gjendja sociale në të cilën gjendet.
16 vjet kujtim i idhët, skamje e frikë të dalë lirshëm në rrugë. Kjo është jeta e viktimës.
Në familjen e saj të gjithë janë të papunë. Asistenca sociale që marrin nga shteti, nuk arrin shumën 100 euro.
“Të marrim ne nuk kemi askund, jetojmë me pak euro ndihmë sociale. Kur të duan e ndalin, nuk është me rëndësi. Shtëpinë e kemi të kallur, jetojmë në kushte shumë të vështira, të ardhura askund. Prej familjes askush nuk punon, jeta është shumë e vështirë”, thotë ajo.
Me gjithë tmerrin që përjetoi gjatë luftës, nuk po arrin të qetësohet asnjëherë. Ka probleme të shumta shëndetësore.
“Kam shumë shëndet të dobët tash, patjetër kam nevojë edhe për operacione, nuk mund të punoj më… Kam probleme me shëndet, sepse kemi pas lloj-lloj maltretimi. Kemi fjet në ujë, në rrugë, në mal, në shi, sot jemi të ftohura, kemi marrë lëndime nga lufta”, thotë ajo.
Ato pak të ardhura vështirë i menaxhon. Nuk mund të blejë gati asgjë.
“Bukë, turshi, se për më shumë nuk ke mundësi. Po presim, por nuk po bëhet mirë”, thotë ajo.
E kur mbetet pa ushqim, ajo mundet vetëm të të ulet e të qajë.
“Veç ndalesh dhe qan tërë ditën. Nuk ke çka të bësh. Shkon kërkon veresi, të lëshojnë kur e din që e ke socialin, përndryshe më nuk të lëshon askush veresi. Shpesh duhet me lënë mjekimin, me qëndruar në shtëpi si të mundësh, sepse nuk ke mjete me dalë as në rrugë për me shku deri në spital, një gjilpërë për dhimbtë me marrë nuk ke mundësi”, thotë ajo.
Shtëpinë nuk ka me çfarë ta ngrohë. Dimri i është bërë armik. Dita i shkon në mendime e nuk di kujt t’i drejtohet. Jeta po i bëhet çdo ditë më e pamundur.
Zgjatja e proceseve për rregullimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, për të, nuk po zgjat me vjet por me shekuj. Ajo është lodhur nga premtimet.
“Jo më premtime, mjaft kemi marrë premtime, sepse ne jemi katastrofë. Po flas në emër të të gjithave. Jemi në rrezik. Kushtet e vështira i kemi shumë”, thotë ajo.
Pensioni, edhe pse nuk e zhbën dot atë çka i ndodhi, të paktën do t’ja lërë trurin e qetë, që kur të zgjohet në mëngjes e di se do të ketë diçka për vënë në sofër. Diçka që sot po i mungon.
“Çdo mëngjes më troket në derë skamja. Përditë me troket gazepi. Nuk hiqet asnjëherë. Nëse hiqet, zbutet pak, hiqet pak mërzia, qetësohet truni, vjen diçka e mirë. Si zgjohesh mendon se çka të bëj për mëngjes. A me zhdukë vetën apo me ba diçka. Është shumë jeta e vështirë. Ishallah nuk shkon më keq sesa na ka ndodhë. Le të bëhet diçka e mirë dhe le të na lënë të jetojmë edhe ne ndonjë ditë”, thotë ajo.
E mbetur në mëshirën e qeverisë, ajo lutet që procesi i njohjes së statusit të tyre të përfundojë sa më shpejt.
“Lodhemi përditë me këto premtime. Ishallah bëhet për vitin 2016. Kemi pas premtime, shtator, tetor, nëntor, shkuan, ku janë? Ndoshta as në 2016 nuk ka. Është larg me shekuj. Jemi lodh me këto premtime. 2012, 2013, 2014.. për mua veç shkuan vitet, shkoi jeta me sfida e premtime gjithmonë….Me ba diçka më shpejt për ne, mos me i pritë vitet. Pse me i pritë vitet ne, kur ne jemi në gjendje kritike, kur nuk jemi viktimë njëherë por sa herë të duash. Duhet sa më shpejtë me përfunduar ky problem që e kemi dhe me u marrë me ato çka të mundemi vet, me kushtet e jetës qysh të dimë pastaj me mbet gjallë vet me këto pensione”, thotë ajo.
Dita i duket vit, e viti shekull. Gjendja në të cilën po jeton nuk e lë të flejë e qetë natën.
Çdo ditë më shumë po i humb shpresat për një jetë normale. Kërkon drejtësi e kushte elementare për jetesë, për vete dhe për rreth 20 mijë femra të tjera që patën fatin e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku në mënyrë kriminale u torturuan nga forcat paramilitare serbe./A.A.