Ripërdhunimi i Alida Hiskut
Kushdo e ka të qartë se pushtetet e sotme, si në planin politik ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor, mbështeten mbi trashëgiminë e regjimit komunist. Në mënyrë të dukshme ato mbahen nga të njëjtët njerëz që ushtruan dhunë ose nga ajo përfituan e shkëlqyen për gjysmë shekulli. Fshehja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe mosdënimi i krimeve mundëson që herë pas here në debatin publik të dalë në pah dekompozimi mbi të cilin është ndërtuar realiteti i sotëm. Sa më shumë zgjatet në kohë fshehja e skeleteve të regjimit, aq më shumë kutërbon struktura e sotme e pushteteve.
Debati i hapur nga Alida Hisku, e cila denoncoi përdhunimin që i është bërë në zyrat e hetuesisë gjatë kohës së regjimit, rinxori edhe njëherë në pah të vërtetën ulëritëse që mbahet fshehur pas dosjeve të kyçura dhe lavazheve mediatike. Sido që të jetë, denoncimi i këngëtares duhet përshëndetur, sepse kërkon kurajë të veçantë hedhja në sheshin publik e një fatkeqësie kaq intime, aq më tepër në një shoqëri kaq maskiliste e të dërrmuar moralisht, që vuajtjen e tjetrit e shijon si spektakël ose që priret ta konsiderojë përdhunimin si hapësirë e (ç)nderit.
Nuk vonuan gjykimet e përgjithësuara e paragjykimet nga më absurdet. Sherif Merdani, Maks Velo, Agim Doçi e shumë të tjerë e gjykuan këngëtaren, jo pa akuza e ofendime, dhe përvetësuan tagrin e specialistëve (edhe të dhunës seksuale), thjesht sepse kanë qenë dënuar gjatë regjimit (jo të gjithë), e kjo u mjaftoi të japin përgjigje të prera “Po/Jo” për 46 vite persekutim të çdo cepi të Shqipërisë. Duke pohuar me sigurinë më të plotë se ai regjim “nuk të përdhunonte”, nuk ngurruan t’i shtojnë reagimeve edhe insinuata fyese për dinjitetin e këngëtares, qëllimet e saj, vonesën, gjuhën e botimit të rrëfimit e me radhë. Maks Velo, pasi mohon mundësinë e përdhunimit, a thua se ka qenë i pranishëm në ngjarjen e Hiskut, pohon se ka pasur shumë raste kur vetë gratë, me dëshirën e tyre, u janë ofruar prokurorëve apo zyrtarëve për t’i shpëtuar problemeve me regjimin apo edhe për të përfituar favore prej tij.
Akoma më absurd e patetik është pretendimi i bërë prej Merdanit dhe Doçit, të cilët mohojnë mundësinë që Hisku të jetë përdhunuar me argumentin se ajo nuk ishte as e bukur. Kjo është një marrëzi që kalon caqet e çdo arsyetimi, duke kërkuar madje ta zhvleftësojë viktimën në përkatësinë e saj gjinore. Është vetvetiu absurde të diskutohet mbi një arsyetim i tillë, që e rrafshon viktimën deri në atë pikë sa nuk ia vlen as ta përdhunosh, bazuar mbi shije estetiko-epshore. Në të njëjtën logjikë me mendësinë e mbrapshtë gjysmë urbane, viktimës i hiqet e drejta edhe për të pranuar dhunën.
Pretendimi se këngëtarja gënjen nuk e shpjegon aspak shënjestrimin që i bëhet. Mos vallë ia prish imazhin një dëshmi e rreme mizorive të atij regjimi kriminal? Çfarë nevoje ka të zbardhet me kaq ngulm se këto mizori nuk i qenkan bërë Hiskut personalisht, por vetëm bukurosheve, edhe atyre me dëshirë, ose pasi ishte konsumuar një shishe vodka? Ky debat nuk është gjë tjetër veçse një përdhunim i dytë për viktimën, dhe kjo e bën akoma më tragjik realitetin tonë./A.A.