Raporti: Trafikimi i personave ende i raportuar përciptazi në median shqiptare
Një monitorim i medias televizive mbi Raportimin në Media të Fenomenit të Trafikimit të Vajzave dhe Grave zbuloi se media shqiptare nuk po i trajton me profesionalizmin e duhur lajmet që lidhen me viktimat e trafikimit.
Sipas raportit që monitoroi tetë stacione televizive në Shqipëri, nga janari deri në dhjetor 2015 pati 100 kronika televizive për trafikimin. Ndër këto 84 për qind lidheshin drejtpërsëdrejti me trafikimin.
Trafikimi i grave dhe vajzave zinte 50 për qind të kronikave të lajmeve, ai i fëmijëve 26.7 për qind dhe 32.6 për qind diskutonte trafikimin e personave si dukuri. “Media luan një rol të rëndësishëm në trafikimin e vajzave dhe grave, ajo ndikon shumë në dënimin ose jo të trafikantëve apo në marrjen e drejtësisë nga viktimat” tha në takim David Saunders, përfaqësuesi i UN Women në Shqipëri.
“Megjithatë sfidat më të mëdha të Shqipërisë janë raportimi etik dhe mungesa e profesionalizmit te gazetarët. Media duhet të përqendrohet te rrënjët e korrupsionit pasi ajo ka detyrën të ndihmojë qytetarët dhe t’i kërkojë llogari qeveritarëve,” shtoi ai.
Raporti zbuloi se trafikimi i brendshëm është një temë e panjohur për median shqiptare.
Sipas Mariana Meshi, presidente e koalicionit kombëtar të strehëzave antitrafik, media duhet të përqëndrohet gjithashtu në informimin e viktimave të trafikimit për mundësitë e ndihmës, që në raportin e vitit të kaluar mbi median e shkruar ishte 0 për qind.
Një tjetër shqetësim i hasur është zbulimi i të dhënave personale të viktimave të trafikimit, që ka ndodhur në 38 për qind të raportimeve të vitit 2015.
Në monitorim u tërhoq vëmendja për mungesën e ndjekjes së historive të trafikimit, që në 100 raportimet për viktimat e trafikimit në vitin 2015 nuk ndodhi në asnjë rast.
Zv. ministrja e punëve të brendshme dhe njëkohësisht koordinatorja kombëtare antitrafik, Elona Gjebrea i bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen duke raportuar viktimat e trafikimit në numrin e 116 006./A.A.