Qeveria u votua edhe prej grave
Nga Teutë Rrusta
Blerta Deliu – Kodra, Edita Tahiri, Teuta Sahatqija, Flora Brovina e deri Ganimete Musliu e Teuta Rugova, e votuan Qeverinë e koalicionit PDK-LDK-Srbska. Ndër kritikat kryesore ndaj Qeverisë Mustafa, ishte numri i vogël, i papërfillshëm i grave në pozita ministrore. Këtij grupimi kriminal i doli nami i zi për shpërfillje të grave në emërimin e ministrive.
Dëgjuam kritika vendore e ndërkombëtare për këtë çështje. Mirëpo u harrua se kjo qeveri burrash u votua edhe nga deputetet gra, të cilat kishin rol vendimtar në sasinë e votave që kanë. Situata kur pasi 22 gra deputete i dhanë votat kësaj qeverie, ankohen për strukturën gjinore duket thjesht derdhje e lotëve të krokodilit. Ato nuk e shfrytëzuan votën e tyre për ta ndaluar konstituimin e një qeverisjeje të tillë.
Sikur vetëm deputetet e këtyre partive të mos e votonin këtë Qeveri burrash, kjo Qeveri nuk do të mund të ndërtohej. Deputetet e mundësuan këtë Qeveri. Thuhej se ende, dhe deri në fund, nuk janë ditur emrat e saktë që do të jenë në kabinet, por ama struktura gjinore nga emrat që spekuloheshin nuk bënte ndonjë dallim të madh në këtë drejtim.
Ne vazhdimisht po dështojmë të merremi me esencën e problemit, duke i ndihmuar atij t’i fshehë rrënjët që ka. Esenca e kësaj Qeverie, sikur e atyre të shkuarave, nuk është imazhi që po dëmtohet, por ndërmarrjet që po (e do të) privatizohen. Nuk është thjesht mungesa e lëvizjes së lire nëpër botë, por mungesa e vendeve të punës që po i sforcon arratisjet nëpër kampet nën urat e botës.
Kur thuhet “përfshirje”, ajo medoemos pasohet nga për çfarë, në çka. Fjala përfshirje nuk qëndron si e vetme dhe neutrale. Ajo merr vlerë vetëm kur futet në aksion: përfshirja në Qeverinë Mustafa nënkupton përfshije në procesin e privatizimit që la të papunë mbi 76.000 punëtorë, e që do të vazhdojë shpejt e egër.
Ky proces ndikoi drejtpërdrejt në mirëqenien gruas. Mbyllja e gruas brenda mureve të moralit patriarkal vjen si pasojë e pamundësisë së saj për të marrë pjesë në procesin e punës. Përfshirja në marrëdhënie kolektive është parakusht për t’u përfshirë në hapësirën publike. Sot nuk ka kolektivitet sepse ka papunësi. Papunësia te gratë, veç të tjerash, ka prodhuar dhunë në familje, sikur që mjerimi në mbarë shoqërinë është duke prodhuar dhunë e kriminalitet.
Kritika jashtë politikës e shkëput shkakun nga pasoja. Ajo është e pamundur për nga vetë definimi, është ftesë pa adresë, është zemërim pa revoltë. Kritikuesi nuk mund ta pretendoj neutralitetin duke u thirrur në disa politika “universale”. Nëse kjo ndodh, dhe po ndodh, atëherë në rastin konkret nuk mund të shprehesh edhe kundër Qeverisë Mustafa edhe të kërkosh futjen e grave në kabinet ministror.
Të mos e maskojmë këtë Qeveri me kërkesa sipërfaqësore që nuk i shërbejnë aspak përpjekjes për barazi gjinore. Në një situate hipotetike edhe do të mund të kishim një kabinet qeveritar me 50% gra, ama kjo nuk premton synim e përkushtim të pushtetit për barazi as gjinore as shoqërore. Jo në këtë qeveri dhe jo me këto politika. Përkatësia gjinore nuk flet për veten si e tillë.
Vetëm pse je grua a burrë nuk do të thotë se me automatizëm i përfaqëson interesat e gjinisë, as që duhet të jetë ashtu. Për më tepër, vetëm kur bëhet fjalë për gruan kërkohet përfaqësim që thirret në gjini, ndërsa kur është fjala për burra është e nënkuptueshme që ata përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore pavarësisht gjinisë. Kërkesa për përfaqësim të grave nga gratë e ka mbyllur përpjekjen e gruas brenda identitetit gjinor, duke e lënë jashtë margjinave të politikës, rrjedhimisht të akomodueshme tek secili pushtet.
Në fakt, kjo është situatë e përshtatshme për ngritje të grave për motive oportuniste, duke keqpërdorur kauzën feministe. Jo pak herë gjatë historisë është vënë në lojë lufta feministe për barazi shoqërore. Duke tundur flamurin e feminizmit e mbyllën atë brenda katedrave universitare ku shumë gra të klasës së varfër dhe të mesme nuk kishin mundësi të depërtonin.
Kështu, nga një lëvizje me potencial revolucionar ajo u keqpërdor nga gratë, edhe ashtu të privilegjuar, për të depërtuar në shoqërinë patriarkale, dhe duke bashkëpunuar me të.
Pra, përfshirja e grave në kabinetin qeveritar të Mustafës nuk mundet, dhe nuk duhet të jetë e shkëputur as nga mënyra e formimit të kësaj Qeverie, as nga projektet politike që synon t’i realizojnë.
Një vështrim kaq i cekët e dëmton kauzën barazitare dhe e kthen çështjen gjinore në çështje kulture e imazhi. Më shumë gra në politikë e ndreqin imazhin e rrënuar të Kosovës.
Po, ama ky pikëvështrim është kthyer kah/për syri/n i/e tjetrit. Kërkohen ndryshime kozmetike që fshehin dhe zbukurojnë fytyrën kriminale të kësaj e asaj Qeverie; modifikimin e sjelljes, sajimin e imazhit. Nevoja për t’u dukur para thirrjes për të qenë është e përcaktuar të duket për të mos qenë.
Qeveria Mustafa nuk duhet të reformohet duke e ndryshuar strukturën gjinore në të, ajo duhet rrëzuar, nga gra e burra të këtij vendi. Të mos kërkojmë përmbushje kuantitative të rregullave, kemi nevojë për ndryshim në cilësinë e karakterit të shtetit.
Të mos reformohemi, të transformohemi, të mos akomodohemi, të mos përshtatemi, të revoltohemi, të dallohemi. Shpejtësia dhe arroganca me të cilën ka ardhur ky pushtet duhet të përballet me përgjigjen tonë përmes aksioneve e demonstratave.
Artikull i botuar në Zëri.info