Pse puna e grave nuk llogaritet si prodhim?
Është bërë një tregues i njohur sa pak njerëz janë të vetëdijshëm për faktin se krijimi dhe matja e PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto) bazohet në shumë supozime dhe vlerësime. Por mes këtyre supozimeve dhe vlerësimeve, dy faktorë janë përjashtuar dhe nuk merren parasysh: ndryshimet në treguesit e mjedisit; dhe puna e papaguar në shtëpi apo puna vullnetare. Gratë bëjnë shumicën e kësaj pune të papaguar, mesatarisht në vendet e OECD-së (Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik) gratë bëjnë dy herë më shumë punë të papaguar në shtëpi se sa burrat, rreth 150 minuta në ditë më shumë. Për shkak se kjo punë nuk matet, ajo as nuk merret parasysh në hartimin e politikave ekonomike.
Shumë pak njerëz janë të vetëdijshëm për faktin se ka pasur një debat shumë të ashpër nëse kjo punë duhej apo nuk duhej të përfshihej te Prodhimi i Brendshëm Bruto, kur sistemi modern i llogarive të të ardhurave kombëtare u krijua në vitet 1940.
Në historinë klasike të matjeve ekonomike të publikuar më 1958, Paul Studenski doli në konkluzionin se në parim, puna e papaguar në shtëpi duhet të përfshihet në PBB, por kishte vështirësi praktike në llogaritjen e sasisë së punës dhe vlerës së saj. Gjithsesi, duke parë se vështirësitë praktike ekzistojnë në të gjitha aspektet e mbledhjes së të dhënave për vlerësimin e PBB-së, është e vështirë të shmanget dyshimi se në fund, puna e papaguar e grave thjeshtë nuk shihej si mjaftueshëm e rëndësishme për shkak se ajo lidhej “vetëm” me punën e grave shtëpiake.
Nuk ka nevojë të themi se feministët prej kohësh kanë argumentuar se puna e papaguar e (më së shumti) grave duhet të jetë pjesë e matjeve statistikore zyrtare. Një nga kontributet më të rëndësishme në këtë debat është libri i Marilyn Waringi i vitit 1988, Nëse Gratë Vlejnë.
Në një studim të vitit 2011, OECD doli në konkluzionin se prodhimi shtëpiak mund të shtojë mes 20 dhe 50 për qind të PBB-së për vendet e veta anëtare. Byroja e Analizës Ekonomike të SHBA-së vlerëson se në PBB-në e SHBA-së për vitin 2010, llogaritja e punës së papaguar mund t’i shtojë 26 për qind.
Rigjallërimi i interesit për të matur kontributin e papaguar të grave (dhe burrave) në aktivitetin ekonomik është i vonuar – dhe po kështu është interesi i shfaqur për matjen e kontributit të papaguar të natyrës në konsumin tonë aktual. Gjithsesi, përqendrimi i tepërt vetëm te aktivitetet për treg përmes matjes së PBB-së i ka çorientuar perceptimet dhe politikat.
Si një udhërrëfim i përafërt në rritjen afatgjatë të mirëqënies, rritja e PBB-së ka qenë një matës i arsyeshëm; por gjithsesi ai ka shërbyer vetëm si një matës i përafërt i mirëqenies ekonomike. Nuk ka arsye të logjikshme që të vijojmë të injorojmë komponentët e tjerë të rëndësishëm të mirëqenies, përfshirë punën e papaguar të grave. Disa vende kanë hedhur hapat e parë duke filluar të mbledhin së paku rastësisht të dhënat e nevojshme për të vlerësuar një PBB me shanse të barabarta, dhe teknologjitë e reja mund ta bëjnë këtë proces më të thjeshtë. Tani ka ardhur koha për të rihapur debatin e viteve 1950 mbi mënyrën se si ne duhet të përkufizojmë ekonominë dhe të sigurohemi se PBB-ja, apo matësi zëvendësues i saj të llogarisë punën me rëndësi vendimtare që jepet në shtëpi, në lagje si dhe në tregje.
/A.A.
Për artikullin e plotë klikoni:/ reporter.al