Prindër, besoni në rrëfimet e vajzave tuaja
Çuditërisht ngacmimet seksuale nuk po paraqesin ndjeshmëri as për prindërit e as për institucionet. Kjo shkaku i mungesës së informacioneve lidhur me pasojat që mund t`i sjellin ngacmimet seksuale në jetën e vajzave të tyre. Prandaj, nuk është e rastësishme që rasti i raportimit të ngacmimit seksual nga ish- ministri i arsimit të zhvendoset nga trajtimi ligjor në trajtim kanunor- në mes burrash (prindërish).
Në këtë mënyrë, kur kjo çështje trajtohet në mes burrash, babë e abuzues, ngacmimi seksual nga sfera ligjore kalon në tematikë odash, ndaj, prindërit inferior ndaj autoritetit edhe mund të falin.
Një situatë e tillë mund të mbarojë një një epilog të tillë, sepse edhe mekanizmat institucional kanë dështuar në trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale.
Në një shkollë të Kosovës, një mësimdhënës i ciklit të arsimit fillor kishte ngacmuar dhe abuzuar më nxënëset për shumë vite.
Kamerat e kanë zënë në flagrancë mësuesin ngacmues dhe i njëjti ka përfunduar në pranga të policisë.
Por, as xhirimi nuk ua ka mbushur mendjen banorëve se mësuesi, të cilin ata e njihnin si të mirë, të jetë përfshirë në veprime të tilla.
Për këtë shkak, ata kanë nënshkruar një peticion për ta rikthyer në punë mësimdhënësin, duke e cilësuar rastin “të motivuar politikisht”.
Kësisoj, si në rastin e parë, edhe në të dytin vihet në dukje nënshtrimi i pavetëdijshëm ndaj autoritetit dhe sakrifikimi i vajzave. Një situatë e tillë nuk do të kishte ndodhur në rast se fëmija do të ishte i gjinisë së kundërt. Këtu s`do të kishte falje, por do të vinte në shprehje kanuni si kod rregullues ndaj kësisoj bëmash.
Ngacmimet seksuale janë fushëveprimi më tregues i pabarazisë gjinore. Aty ku ngacmimet seksuale janë të shprehura shpërfaqet pushteti dhe fuqia e burrave kundrejt vajzave e grave.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka hartuar politikën kundër ngacmimit seksual në institucionet publike, porse nuk janë pranuar nga institucionet me arsyetimin se me dokumente të tilla do të legjitimohej prania e ngacmimeve seksuale në institucionet e Kosovës.
Nëse analizojmë sot infrastrukturën ligjore “ngacmimi seksual” qëndron si një koncept statik i përhumbur brenda një morie nenesh që tentojnë të mbrojnë dhe garantojnë të drejtat njerëzore.
Gjendja e tillë e ligjeve është në funksion të mbajtjes gjallë të sistemit patriarkal. Në rast të veprimit efikas të ligjit kundrejt ngacmuesve seksualë, vetëdijesimi për pasojat do të shtrihet në të gjitha nivelet.
Megjithatë, institucionet relevante asnjëherë nuk janë treguar efikase në parandalimin dhe luftimin e ngacmimit seksual.
Për më tepër, mësuesve të përfshirë në veprime të tilla, sipas raportimit në media, zakonisht u është ndërruar vendi i punës, por nuk janë suspenduar nga puna.
Ekziston një mbrojtje dhe marrëveshje e heshtur e këtyre abuzuesve, gjithmonë në favorin e tyre, pikërisht për faktin se institucionet në esencë janë patriarkale, ngaqë udhëhiqen nga njerëzit të cilët as që mendojnë lidhur me ndjeshmërinë e një çështje të tillë. /A.A.