Policia e Nottinghamshire do regjistrojë mizogjininë dhe ngacmimet seksuale si krime të urrejtjes
Për herë të parë në histori, oficerët e policisë në Mbretërinë e Bashkuar do të klasifikojnë mizogjininë dhe incidentet e ngacmimeve ndaj grave, si krime të urrejtjes, sipas masave të reja.
Policia e Nottinghamshire njoftoi se krimet që variojnë nga ngacmimet në rrugë në qasje agresive fizike do të regjistrohen si krime të urrejtjes, duke u bërë forca e parë policore në vend që po ndryshon përkufizimin e saj.
Forca policore tani përcakton krimin e urrejtjes mizogjinore si “incidente ndaj grave, të cilat janë të motivuara nga një qëndrim i një burri ndaj një gruaje, dhe përfshin sjelljen e synuar drejt një gruaje nga burrat thjeshtë sepse ajo është grua”.
Deri në fund të korrikut, zyrtarët e zgjedhur të Nottinghamshire dhe stafi do të kenë përfunduar trajnimin mbi kuptimin e krimeve të urrejtjes mizogjinore, në përputhje me udhëzimet e reja.
Planifikimi për këtë skemë filloi në verën e vitit 2014, kur anëtarët e forcave të policisë u takuan me aktiviste të të drejtave të grave dhe me personelin nga Qendra e Gruas Nottingham.
Zyrtarët dëgjuan një sërë dëshmish nga gratë që ishin ngacmuar, abuzuar dhe sulmuar në qytetin e Nottinghamit gjatë viteve të fundit.
Sam Smethers, shef ekzekutiv në Shoqërinë Fawcett e cila bën fushata për të drejtat e grave, tha për Independent: “Kjo është ajo që Shoqëria Fawcett ka dashur të bëjë. Angazhimi i Policisë së Nottinghamshire që ta marrë krimin e urrejtjes mizogjinore seriozisht, duhet të mirëpritet dhe të përqafohet në mbarë vendin.
“Ne duhet ta thërrasin mizogjininë për atë që është – një krim i urrejtjes. Gratë dhe vajzat përballen me një valë abuzimi dhe ngacmimi çdo ditë. Ligji ynë duhet të dërgojë një sinjal të qartë se kjo nuk është e pranueshme. Ky është një krim.”
Ndërkohë, shefja e policisë së Nottinghamshire, Sue Fish tha se forca policore është e angazhuar që ta trajtojë mizogjininë “në të gjitha format e saj”.
“Ajo me të cilën gratë përballen, shpesh në baza ditore, është absolutisht e papranueshme dhe mund të jetë jashtëzakonisht shqetësuese,” tha ajo. “Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm i punës së përgjithshme që po zhvillohet ndaj krimit të urrejtjes dhe që do ta bëjë Nottinghamshire një vend më të sigurtë për të gjitha gratë.
” Policia e Nottinghamshire është e angazhuar që të marrë seriozisht krimin e urrejtjes mizogjinore dhe inkurajon të gjithë ata që preken prej tij që të na kontaktojnë pa hezitim.”
Përdorimi i celularëve për të dërguar mesazhe të padëshiruara ose të bëhen fotografi pa pëlqim ose leje janë gjithashtu të përfshira në udhëzimet për oficerët.
Kjo forcë policore konfirmoi se abuzimi në familje nuk do të përfshihet në fushën e krimit të urrejtjes mizogjinore pasi për to ka procedura të tjera.
Melanie Jeffs, Menaxhere e Qendrës së Grave në Nottingham, tha: “Ne jemi të lumtur që po shohim se Policia e Nottinghamshire e njeh gjerësinë e dhunës dhe frikësimit që gratë përjetojnë në baza ditore në komunitetet tona.
“Ta kuptojmë këtë si një krim urrejtjeje do të ndihmojë njerëzit të shohin seriozitetin e këtyre incidenteve dhe shpresojmë të inkurajojmë më shumë gra të flasin dhe raportojnë këto krime.”/A.A.