Po vrasim gra, ne trimat…
Vrasja e Zejnepes pa dyshim ishte dështim i shtetit në rend të parë. Se kemi improvizim të shtetit, kjo nuk është risi, por është bërë tashmë normalitet.
E dyta: Meqenëse ajo me vite ka qenë e keqtrajtuar, është dashur të dërgohet në një Shtëpi të Grave.
E treta: Ky rast flet edhe për martesat pa dashuri, vendime të prindërve, martesa kombinacione, martesa nga trysnia dhe mospyetja e djalit, a është i gatshëm për martesë, apo ata mendojnë dhe marrin vendim se djali është i gatshëm të krijojë një familje, sepse familjes i duhet një rob, një shërbëtore.
Kur duhet martuar? Për krijimin e familjes, duhet të vendosin ata që martohen, jo ata që kanë dëshirë të martojnë djemtë apo bijat. Prindi ka për detyrë të ndihmojë, jo të imponojë apo dominojë. Nëse e bën, nuk e ka kuptuar rolin e vet. Ata bazohen shumë herë në mustaqe, jo në pjekurinë psikike të njeriut. Mustaqe ka dhe miu, ka edhe maçoku, por burra nuk bëhen kurrë.
Martesa si aventurë e rrezikshme sociale? Çdo martesë që bëhet me ndërmjetësime sot, prodhon një jetë ku jetohet pa dashuri, pa respekt, pa mirënjohje dhe aty burri shndërron gruan në nënë të dytë, ose në shërbëtore, vetëm në fillim ndoshta në bashkëshorte. Martesa nuk duhet bërë sot si në llotari. Çdo njeri le të zgjedhë partneren/ partnerin e vet. Ai burrë që nuk dashuron gruan, nuk ka dashuri dhe dhembshuri as për fëmijët. Ai sillet në shtëpi si polic. Njeriu jeton një herë dhe duhet ta ketë mundësinë të zgjedhë vetë, jo të lejojë t’i imponohen shijet e prindërve. Vetëm dashuria është e shenjtë. Jeta pa dashuri është përpjekje për të jetuar një jetë normale, por që nuk bëhet normale kurrë dhe, aty fëmijët traumatizohen. Ky do të jetë rezultati. Thuaj jo martesës si kombinacion.
Kush duhet të zgjedhë për martesën? Zgjidh vetë! Mos u marto kurrë pa dashuri. Ti je rritur në atë çast, kur kundërshton dëshirën e prindërve për martesë, imponimet e tyre. Nëse nuk kundërshton kur nuk pajtohesh, atëherë je akoma fëmijë, prit me martesën. Krijimi i familjes është përgjegjësia më e madhe e njeriut në jetë. Prindërit kanë jetuar jetën e tyre, ti jeto vetëm tënden pa ndjerë nevojë t’i japësh llogari askujt. Ai që të ka falur jetën, nuk ka asnjë të drejtë ta konsiderojë jetën tënde pronë të vetën. Ka edhe prej tyre që nuk vrasin gratë, por i sëmurin ato me terrorin psikik të përditshëm, që në shoqëri primitive, fisnore, interpretohet si kujdestari. Shkatërrimi i grave nga ata që mendojnë se është trimëri, nuk bëhet vetëm me rrahje, nënshtrim, abuzim, mosmirënjohje, shtypje, por edhe nga psiko-drakulat, që keqtrajtojnë psiqikisht, dhe janë gjithashtu tmerri i një familje.
A luftuam për liri mashkullore apo për liri kombëtare? Demokracia në kushtetutë, patriarkalizmi në shtëpi, flet për një shoqëri të përçarë, të sëmurë. Të sëmurë nga ai që ka dëshirë të nënshtrojë dhe nga ajo që duron nënshtrimin. Aty ku ka fuqi të keqtrajtohet motra, gruaja dhe bashkëshortja, aty nuk ka lumturi. Aty ku kushtetuta urdhëron barazinë, por burrat e anulojnë në shtëpi, aty nuk ka harmoni, përparim e as martesa nuk është kënaqësi, por aventurë e shoqëruar me rënie dhe ngritje të përhershme. E fituam lirinë, këtë nuk duhet t’ia ndalojmë rinisë. Të jesh prind, nuk domethënë të jesh pronar i fëmijëve, por të rritet fëmija dhe t’i falet liria në moshën madhore për ta jetuar jetën e vet, jo t’i imponohet jeta e prindit. Kështu stangon shoqëria dhe pengohet përparimi. Babai nuk ka jetuar si gjyshi jonë, as ne nuk duhet të jetojmë jetën e babait. Fëmija nuk ka vendosur të lindet, por përgjegjësinë për lindjen, për edukatën, për përgatitjen profesionale, ka ai që ka vendosur ta krijojë, mirëpo kjo nuk i jep asnjë të drejtë pronësie. Prindi i mirë i fal lirinë fëmijës në moshën madhore, ashtu si i ka falur jetën.
Hipokrizia mashkullore!
Nëse nuk respektojmë ligjet e Kushtetutës në shtëpi, atëherë është hipokrizi të kërkohet shtet ligjor jashtë: është hipokrizi të kërkohet nga politikanët të respektojnë ligjet që ne vetë refuzojmë. Çdonjëri refuzon ndonjë ligj dhe pastaj kemi shtetet që kemi, që të prishin gjumin vetëm nëse mendon për to. Një shoqëri që nuk jeton konform ligjeve të aprovuara nga Kuvendi, është shoqëri hibride, në përplasje, në luftë të brendshme, është surrogat qesharak i shoqërisë moderne, sepse vazhdimisht ka kacafytje dhe përleshje në mes epokave të ndryshme dhe botëkuptimeve. Në mes burrave dhe grave. Në mes prindërve dhe fëmijëve. Një shoqëri e tillë është e dënuar të mbetet e fundit në të gjitha sferat e jetës. /A.A.