Pas gjithë ngjarjeve dhe shqetësimeve të fundit, siç ishin tërmeti i 26 Nëntorit, pandemia e Covid-19, shëmbja e teatrit e cila u shoqërua me një dhunë të paprecedente nga policia kundër protestuesve, një pjese të mirë të qytetarëve shqiptarë iu shtua edhe trishtimi, zemërimi dhe mllefi që sollën denoncimet e njëpasnjëshme të abuzimeve seksuale të vajzave të mitura. Të gjitha këto ndjesi i vërtetoi protesta e djeshme “Kundër humbjes së fëmijërisë” me pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve, midis tyre shumë të rinj e të reja, gjimnazistë e gjimnaziste të cilët treguan se solidariteti është i rëndësishëm dhe nuk mungon në shoqërinë shqiptare.
Abuzimet ndaj vajzave nga prindi, i afërmi, shoku, roja i shkollës apo i hipotekës si dhe nga mbarë shoqëria, duhet të ndalojë. Vajzat dhe gratë kanë të drejtë të jetojnë të lira dhe pa paragjykime, ashtu siç jetojnë shumica e shokëve të tyre.
Pikërisht dje ndodhi një paradoks i vështirë për tu gëlltitur. 7 pjesëmarrësit e përdhunimit në grup para një viti e gjysëm të një të miture 13 vjeçare, janë liruar nga Gjykata e Apelit Kavajë me arsyetimin “shkak për lirimin ka qenë mosha e tyre, pendimi si dhe vazhdimi i shkollimit” dhe i kaloi në shërbim prove. Sipas gjykatave tona, jeta e vajzave të përdhunuara nuk paska aq vlerë sa jeta e përdhunuesve të tyre.
Ajo pjesëmarrje e lartë e protestuesve, tregoi që shoqëria shqiptare edhe pse e përgjumur, ka forcën dhe kurajon për të ngritur zërin për ata dhe ato që nuk munden. Në protestën e djeshme qytetarët nëpërmjet pankartave kërkuan ndryshimin e ligjeve, ndëshkimin e fajtorëve dhe bashkëfajtorëve, mbajtjen e përgjegjësisë nga institucionet shtetërore si dhe i treguan vajzave dhe djemve që nuk janë vetëm dhe se duhet të denoncojnë çdo lloj abuzimi. Pankarta të ndryshme shkruanin “Ti nuk je vetëm”, “Përdhunuesit e kanë vendin në burg”, “Heshtja nuk është përgjigja ime për dhimbjen tënde”, “Mbro vajzën, eduko djalin”, “Më vjen turp që jam djalë në Shqipëri”, etj.
Lind pyetja si mund të ndihmojmë si qytetarë të thjeshtë? Si fillim mund të firmosim peticionin “Regjistër publik për abuzuesit seksualë dhe pedofilët.” i cili ka për qëllim t’i japë një shtysë drejtësisë dhe shtetit tonë që has kaq vështirësi të dënojë abuzuesit e përdhunuesit. Mund të telefonojmë policinë dhe institucione të ndryshme nëse shohim ose jemi në dijeni të abuzimeve. Mund të dhurojmë në organizata të ndryshme që merren me mbrojtjen e vajzave dhe grave të abuzuara. Dhe më e rëndësishmja është të marrim pjesë në çdo protestë dhe të ngremë zërin tonë për çështjet që kemi përzemër.