Për prindërit e saj, vajza afgane kalon jetën e maskuar si ‘djalë’
Sitara jeton me zakonin e ndërrimit gjinor, ndryshe i njohur si ‘bacha poshi’
Sitara Wafadar dëshiron flokë të gjatë si vajzat e tjera. Në vend të kësaj, adoleshentja afgane e ka maskuar veten si djalë për më shumë se një dekadë, e detyruar nga prindërit e saj të jetë “biri” që nuk e patën kurrë.
Me pesë motra dhe pa vëllezër, Sitara jeton me zakonin e ndërrimit të gjinisë të njohur si “bacha poshi”, i cili në Dari i referohet një vajze “të veshur si djalë”, duke i lejuar asaj që të kryejë në mënyrë të sigurtë detyrat e një djali në vendin patriarkal.
18-vjeçarja, e cila jeton me familjen e saj të varfër në një shtëpi me tulla me baltë në një fshat në provincën lindore të Afganistanit të Nangarhar, është sjellë si djalë shumicën e jetës së saj.
Duke folur si burrat
Çdo mëngjes ajo vesh një këmishë të madhe, pantallona dhe pantofla me gisht, siç vishen zakonisht meshkujt afganë. Ndonjëherë ajo i mbulon flokët e saj të shkurtër kafë me një shall dhe thellon zërin për të fshehur gjininë e saj të vërtetë. “Unë nuk e mendoj kurrë se jam vajzë,” thotë Sitara. Ajo dhe babai i saj i moshuar punojnë gjashtë ditë në javë, për të shlyer paratë që huazuan nga pronari për të ushqyer familjen.
“Babai im gjithmonë thotë ‘Sitara është si djali im i madh’. Ndonjëherë … unë shkoj nëpër funerale si djali i tij më i madh,” thotë ajo.
Zakonisht janë familje pa trashëgimtarë meshkuj, të cilat detyrojnë vajzat të vishen si djem.
Ndërsa shumica e “bacha posh”, siç njihen, nuk vishen më si djem pas arritjes së pubertetit, Sitara thotë se mban veshjen mashkullore “për të mbrojtur veten” tek furra e tullave ku ajo dhe i jati punojnë. “Kur shkoj në punë, shumica e njerëzve nuk e kuptojnë që jam vajzë”, thotë ajo. “Nëse do ta kuptonin se një vajzë 18-vjeçare punon nga mëngjesi në mbrëmje në një fabrikë tullash, atëherë do të hasja shumë probleme. Mund edhe të më rrëmbenin.”
Pa zgjedhje
Sitara filloi të punonte në fabrikë kur ishte vetëm tetë vjeç, duke ndjekur gjurmët e katër motrave të saj më të vjetra, të cilat gjithashtu bënin tulla në vend që të shkonin në shkollë – derisa u martuan, më pas ato qëndruan në shtëpi. Ajo bën 500 tulla në ditë në këmbim të 160 afganis (pak më shumë se 2 dollarë).
Nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 5 të pasdites ajo përkulet në tokë duke përgatitur baltë dhe argjile dhe pastaj e fut nëpër forma që ngrohen nga dielli i nxehtë i cili e ka bërë lëkurën e saj kafe. “Nuk më vjen turp për atë që po bëj, por njerëz në moshën time më thonë “ke arritur pubertetin dhe tani nuk duhet të punosh në një fabrikë tullash”, thotë Sitara. “Por çfarë të bëj? Nuk kam asnjë zgjedhje tjetër.”
Babai i Sitaras, Noor, thotë se “Allahu i plotfuqishëm” nuk i dha atij një djalë, duke e lënë atë pa zgjidhje tjetër përveçse ta detyronte vajzën të vishet si djalë dhe të punojnë.
Familja thotë se kanë një borxh prej 25,000 afganis tek pronari i fabrikës dhe të afërmit prej të cilëve ata huazuan për të mbuluar shpenzimet mjekësore të nënës diabetike të Sitaras. “Po të kisha një djalë nuk do të isha përballur me gjithë këto probleme,” tha zoti Noor.
Gjithsesi nëna e Sitaras, Fatima, dëshiron që vajza e saj të veshë rroba femërore dhe të qëndrojë në shtëpi, por ajo ka nevojë që Sitara “të më sjellë ushqime, të më çojë tek mjeku dhe të bëjë punë të tjera, sepse burri im është i moshuar”.
Ndërsa Sitara e pranon se situata e saj është “e padrejtë”, ajo ka vendosur të vazhdojë, kryesisht për shkak se motra e saj më e vogël, e cila është 13 vjeç, do të “përballet me të njëjtin fat si unë” nëse do të ndalonte./A.A.