Patriarkati nuk ka gjini
Ngjarjet e fundit politike në Kuvendin e Kosovës zgjuan indirekt temën e nivelit patriarkal në Kosovë, që me apo pa dashje shpesh minimizohet nga shoqëria shqiptare.
Deformimi i strukturës sociale vjen si rezultat i etapave të socializimit, prandaj toni fyes i Kryeparlamentarit Veseli gjen zëra mbështetes si ai i deputetes Besa Gaxherri, e cila përçon mesazh të standardeve të dyfishta karshi roleve gjinore në shoqëri. Ideologjia e patriarkatit nuk është problem vetëm te burrat, por edhe te gratë si rasti i zonjës Gaxheri, e cila për promovime vetjake në sistemin makro, apo benefiteve që ka nga politika, del kundër kauzës së grave, për të dalë në pah dhe për të arritur statusin e pushtetit barabartë me burrat në shoqëri.
Marionetat politike të cilat kategorikisht mbrojnë qoftë edhe një togfjalësh të hierarkive, indirekt nënkuptojnë lojalitet ndaj politikës qoftë edhe në dëm të një grupi shoqëror – e hierarkitë politike jemi në dijeni se kush janë – një tog burrash që zhvlerësuan edhe punën e deputeteve të zëshme duke mos i inkuadruar në qeverisje, vetëm pse ishin zë kritik për fenomene të caktuara. Rast konkret, është bashkpartiakja e zonjës Gaxherri, Vjosa Osmani.
Në interaksionet sociale kur bëhet fjalë për tone nxitëse që konsiderohen si anormale, nga vlerësimi profesional i punës sociale, një individi i jepet hapësirë për të shprehur mendimin në lidhje me një fenomen të paktën dy herë, për shkak se vlerësimi final ka kredibilitet me variable të ndryshme – e vërtetuar kjo shkencërisht, jo e bazuar në norma kulturore ashtu si bazohet zonja Gaxherri.
Pikërisht, në debatin e mbrëmshëm që u zhvillua në emisionin Rubikon u dha një shembull kur një grua mbron me fanatizëm sistemin patriarkal, dhe efektet anësore që sjell ky sistem në etapat e zhvillimit të një individi. Zonja Gaxherri i qëndron kategorikisht idesë se një burri i falen mendimet dhe shprehjet ofenduese duke u bazuar në norma kulturore, por shkencërisht, këtë dukuri luftohen në të gjitha vendet e zhvilluara, ashtu si i shpiegonte sociologja Sibel Halimi.
Më shqetësuese është kur një fenomen kalon në vetën e parë, ashtu si Zonja Gaxherri e mbivlerësonte veten karshi panelistëve të tjerë, që sipas saj nuk kishin nivel profesional për të debatuar me të.
Në shumicën e vendeve të zhvilluara, një politikan ka si këshilltarë ekspertë të shkencave sociale, zakonisht sociologë, futuristë dhe ekspertë të gjuhës trupore, për të koordinuar raportin politik me shtresat sociale të popullsisë.
Ndërkaq, zonja Gaxherri jo vetëm që nënvlerësoi sociologen Halimi, por sulmoi edhe Rrjetin e Grave të Kosovës në përgjithësi, që nuk ka rol politik në vend, përveç se është zë gjithëpërfshirës i kauzës për mbrojtjen e të drejtave të grave, barabartë me vendet e zhvilluara. Pikërisht, Rrjeti Grave të Kosovës ka luajtur rol kyç pro kauzës për barazi gjinore, duke mos kërkuar kredi për kalibrin e grave profesioniste që veprojnë si tutore të fenomeneve negative në shoqëri, si: dhunën ndaj grave, diskriminimin gjinor, vrasjet e vajzave dhe grave, dhe në përgjithësi normat patriarkale që janë të pranishme në pothuajse çdo institucion shtetëror.
Pastaj, sulmi direkt që zonja Gaxherri shfaqi ndaj zonjës Halimi tregon një faktor më shqetësues se pjesëmarrja minimale e grave në qeveri, sepse edhe ato gra që janë pjesë e Kabinetit Qeveritar në publik shfaqen si marioneta dhe zëdhënse të hierarkive të burrave që njihen si individ që duan të përfitojnë individualisht, duke harruar se përfaqësojnë një grup njerëzish të cilët u’a besuan votën.
Opinioni i gjërë ka pasur mundësi të ndjekë veprimtarinë e zonjës Halimi, e cila në debate televizive fokusohet në kauzë, e asnjëherë nuk shpalos aktivitetin e saj në vetën e parë, ashtu si krenohej zonja Gaxherri. Zonja Halimi ka qenë e pranishme në shumë debate televizive, për të shpjeguar shkencërisht fenomenet si: fluksin e ikanakëve, vrasjen e Diana Kastratit, zvarritjen e gjyqësorit në rastin e Shyhrete Berishës, debatet e gjuhës seksiste të personave publikë, e shumë fenomeneve të tjera që ndodhin në shoqëri – shumica si rezultat i kulturës tipike patriarkale.
Ndërkaq, zonjën Gaxherri e cila i jep kredibilitet vetes si njeri me kalibër totalitar të dijes, zakonisht e hasim në debate televizive gjatë fushatave zgjedhore, aderimeve politike, ose zënkave të saj me bashkëpartiakë për kredite vetjake.
Zonja Gaxherri gjatë debatit në emisionin televiziv Rubikon, shfaqte tipare të ‘moderura’ të patriarkatit, duke promovuar sistemin egalitarian, i cili në kohët aktuale në vendet e zhvilluara po tretmohet si bastion lojal ndaj patriarkatit. Për më shumë, ajo shfaqi modelin dystopian të roleve gjnore, pikërisht duke u bazuar në konstruktin biologjik të një individi.
Gratë konsiderohen si inferiore në një sistem autokratik që shkencat politike i kategorizojnë shoqëritë si të tilla në vende ku pjesëmarrja e grave në politikë është numër simbolik.
Meqë zonja Gaxherri ndiente disproporcion përballë sociloges Halimi, duke e kategorizuar veten si kalibër më i lartë, atëherë ajo ka mundësi të shfletojë konkludimet shkencore në lidhje me qasjen e grave në politikë në sistemin patriarkal.
Sipas International Network of Women in Politics, në sistemin patriarkal gratë që qasen në politikë në fokus të veçantë gjatë promovimit, duhet t’u binden hierarkive politike të burrave, me më shumë llogaridhënie ndaj tyre sesa ndaj elektoratit që pretendojnë për t`i përfaqësuar.
Prandaj, nëse për zonjën Gaxherri nuk qenkan kalibër i saj, zonja Halimi apo i tërë Rrjeti i Grave të Kosovës qenkan me kualifikim më të ulët se ajo, le t`i drejtohet instancave botërore të Network of Women in Politics që mbështetet shkencërisht.
Në rrafshin profesional, ku ne si individ jemi vetëm implementues të asaj çfarë shkencat sociale aprovojnë, thuhet se “kompleksi i superioritetit” është mekanizëm psikologjik i mbrojtjes, në të cilin ndjenjat superiore të një personi fshehin ndjenjat e inferioritetit.
Gjithashtu, Enti i Statistikave të Diagnostifikimit për çrregullim mental për kompleksion superior sugjeron që në rast se një individ nuk mund të shfaqet më meritor se një individ tjetër, ata do të përpiqen të nënvlersojnë një person ose grup për të ruajtur pozitën e tyre të lartë – shembull tipik që zonja Gaxherri shfaqi në emisionin Rubikon, kundër Rrjetit të Grave të Kosovës dhe sociologes Sibel Halimi.
Tendenca e zonjës Gaxherri si fytyrë politike për të na i shpjeguar rolet gjinore në shoqëri, e forcon thënjen e aktivistes për të drejtat e grave, studimeve gjinore dhe politikave Bell Hooks, e cila citon: “Patriarkati nuk ka gjini”.
Prandaj Besë, reagimi yt në Klan Kosova duke mbajtur leksion për pritshmëritë e sjelljeve gjinore, pasuar me rastin e dytë në debat televiziv në KTV, ku prapë i qëndron po të njëjtit mendim për rolet gjinore, duke i shtuar zë diskriminues ndaj Rjetit të Grave dhe individualisht ndaj zonjës Halimi, ju hyni në kategorinë e citatit të lartëpërmendur./A.A.