Parlamenti Italian seancë për krimet e luftës së Kosovës
Sot në Romë, Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga ish-presidentja Atifete Jahjaga në përbërje të të cilit do të jenë deputetët Mexhide Mjaku-Topalli e Saranda Bugujevci dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, do të dëshmojnë në Parlamentin italian.
Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Deputetëve dhe Komisioni Parlamentar i Hetimeve mbi Feminicidin (vrasjen e grave) si dhe mbi të gjitha format e dhunës me bazë gjinore, në Senatin italian do të zhvillojnë seanca dëgjimore për të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë.
Seancat do të kryesohen nga Senatorja Valeria Valente, Kryetare e Komisionit Parlamentar te Hetimeve mbi Femicidin, si dhe mbi të gjitha format e dhunës me bazë gjinore dhe nga Marta Grande, Kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme e Dhomës së Deputetëve.
Në këtë seancë, njëjtë siç ndodhi dhe në Kongresin Amerikan, Vasfije Krasniqi-Goodman pritet të dëshmojë përjetimet e saj mbi dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës, ndërsa deputetja Bogujevci do flasë mbi masakrat që i morën dhe jetën një pjese të madhe të familjes së saj.
Në fund të seancës, pritet dhe miratimi i një rezolute për krimet e ushrruara gjatë luftës së Kosovës,në nderim të viktimave dhe atyre që ende vuajnë traumat e luftës. /kj
Burimi: Balkanweb