Vala e denocimeve mbi abuzimet dhe ngacmimet seksuale vijon, e bashkë me të dhe protestat për t’i dhënë zë dhe kurajo viktimave të abuzimeve për të dalë hapur dhe për të denoncuar abuzuesit e tyre.
Pas protestave kundër dhunës dhe abuzimeve seksuale si dhe heshtjes mbi këto raste, të cilat pas Tiranës u mbajtën dhe në Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë e së fundmi në Shkodër, rastet e denocimeve janë shtuar në vend. Në emisione investigative apo kronikat e lajmeve, thuajse përditë po dëgjojmë mbi raste te abuzimeve seksuale që janë mbajtur të fshehura për kohë të gjatë, qoftë nga familja apo institucionet, e disa raste ku abuzimi ka ndodhur nga drejtuesit e institucioneve, si në rasin e Fushë-Arrëzit.
Tepër shqetësues ishte dhe rrëfimi i Adrianës nga Shkodra në emisionin “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel, e cila rrëfeu historinë tronditëse dhe abuzimet seksuale që kanë ndodhur gjatë jetës së saj në jetimoren e Shkodrës.
Adriana ishte abuzuar seksualisht derisa kishte mbushur moshën 18-vjeçare dhe më pas ishte detyruar që të largohej për në konviktin e vajzave në Shkodër, ku sërish vazhdoi abuzimi nga vajzat më të mëdha në moshë, të detyronin vajzat e sapo-ardhura të prostituoheshin. “Ato fusnin njerëz në konvikt dhe nëse nuk bëja shumën ditore të caktuar më rrihnin, më linin të flija nëpër korridore!”, deklaroi Adriana gjatë emisionit.
Gjatë rrëfimit të saj u zbulua gjithashtu se ajo kishte shkuar të denonconte në vitin 2015 përdhunimin që i ishte bërë, por fatkeqësisht polici që e kishte pritur kishte abuzuar seksualisht me të.
Stafi i emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, pas rrëfimit të saj, vendoi të dorëzoi në Prokurori dosjen e Adrianës së bashku me rrëfimin e saj, për të kërkuar drejtësi për ngjarjen e ndodhur. Rasti i Adrianës u konfirmua dhe nga të tjerë fëmijë të jetimores, por ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse e nga prokuroria.
Jetimorja e Shkodrës, dhe në vitin 2016 u kthye në qendër të vëmendjes publike me të tjera raste abuzimi fëmijësh, ku në trupin e fëmijëve minorenë ishin gjetur dhe shenja të djegurash me cigare, ndërkohë sipas hetimeve të Prokurorisë, 3 vajza të mitura ishin abuzuar seksualisht.
Pavarësisht se institucionet e drejtësisë ende nuk po arrijnë të kuptojnë sa e rëndë është situata, ku në rrethe të vogla ende peshohet fjala e një burri si më e rëndë se fjala e një gruaje, rastet e denoncimeve shtohen, kësaj rradhe në universitet.
Në një video të publikuar në Facebook, tregohet një profesor i Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë, ku gjatë plotësimit të ushtrimit prej një studenteje në tabelë, gjen rastin të mbështesë dorën në trupin e studentes, në një video që duket tejet e papërshtashme për ambjentet e universiteteve. Në vijim video e publikuar: