Panairi për punësimin e grave në Kosovë
Rreth 90 gra të cilat kanë kryer trajnimin për zhvillimin e karrierës të projektit “Equipping Young Kosovar Women to Succeed in Jobs Market”, kanë pasur mundësi të gjejnë vende punë gjatë Panairit të punës i cili është organizuar të premten në qendrën “Women for Women International” në Prishtinë së bashku me Kosovajob. Në këtë panair i cili është mbajtur për herë të parë, ishin pjesëmarrës 11 biznese të ndryshëm vendorë.
Kosova renditet më se keqi në Evropë e vende tjera të botës për nga punësimi i grave. Kjo mbetet sfiduese për institucionet vendore. Përfshirja më e gjerë e grave në fuqinë punëtore aktive jo vetëm që do të ishte e mirë për barazinë gjinore, por do të ishte edhe shtytje shumë e madhe për zhvillim. Sipas të dhënave zyrtare del se 79% e grave janë joaktive, 8% të papunësuara, ndërsa 13% të punësuara.
Mirëpo, gratë kanë shfrytëzuar mundësinë e panairit duke i shkëmbyer CV-të dhe duke u takuar me bizneset potenciale për punësim dhe se tashmë presin për pranimin e mundshëm të tyre aty ku kanë aplikuar.
Gratë që kanë kryer trajnimin për zhvillimin e karrierës, nga ky panair mund të përfitojnë vende pune në sektorë të ndryshëm si: çerdhe, biznese të mëdha, kuzhiniere, mirëmbajtëse, etj.
Nora Zhilivoda, si zyrtare për përkrahje për punësim dhe koordinatore e projektit, “Equipping Young Kosovar Women to Succeed in Jobs Market”, ka thënë për KosovaLive se në këtë panair do të jenë pjesëmarrëse gratë e programit të cilat e kanë përfunduar trajnimin për zhvillimin e karrierës, i cili ka qenë projekt i financuar nga “Enhancing Youth Employment”.
Përmes këtij panairi, sipas saj, do të përfitojnë si gratë e programit WfWI po ashtu edhe bizneset, të cilat do të kenë mundësi të bëjnë një përzgjedhje të këtyre grave për pozitat e tyre.
“Është hera e parë që e organizojmë këtë panair për shkak të projektit që e kemi, por shpresojmë që në të ardhmen do të bëhet edhe tradicional. Por, për momentin nuk është i paraparë në programin bazë që e kemi”, ka thënë Zhilivoda.
Qëllimi i projektit është që t’i përgatisim gratë (të cilat janë diplomuar në programin e WfWI), në zhvillimin e karrierës, që të jenë të gatshme për tregun e punës. Këtë projekt e mbështet “Enhancing Youth Employment Project”, ku bën pjesë edhe Kosovajob.
Marrë nga: www.kosovalive360.com