OSBE: Dhuna ndaj grave dominon shoqëritë në Shqipëri e Kosovë

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Grave, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka publikuar një raport mbi dhunën e ushtruar ndaj grave në rajon. Sipas të dhënave të studimit, rezulton se 16 milionë gra në rajonin e Evropës Juglindore kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre, duke filluar që nga mosha 15 vjeçare.
OSBE ka publikuar ditën e djeshme rezultatet e një nga studimeve më të mëdhenj të kryer në rajon mbi dhunën me bazë gjinore. Në studim janë anketuar 15,179 gra nga Bosnja dhe Herzegovina, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Moldavia, Serbia dhe Ukraina.
Zgjedhja e tyre ka qenë e rastësishme, me qëllim gjetjen e “natyrës së dhunës ndaj grave si dhe qëndrimin e tyre ndaj raportimit të dhunës”.
“Më shumë se dy të tretat e grave që jetojnë në rajon mendojnë se dhuna është bërë pjesë e përditshmërisë në vendet e tyre, ndërsa një e pesta mendojnë se dhuna është shumë e zakonshme”, ka thënë Thomas Greminger, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së. “Këto janë fakte të papranueshme si nga aspekti human ashtu edhe nga spekti i sigurisë dhe stabilitetit, por edhe nga aspekti socio ekonomik”, ka shtuar ai.
Përsa i përket Kosovës, një e dhënë ku Kosova dallon shumë nga rajoni është në pyetjen nëse femrat e kanë për obligim të kryejnë marrëdhënie seksuale me partnerin e tyre edhe kur nuk nuk kanë dëshirë. 26 për qind të grave të anketuara në Kosovë kanë menduar se e kanë këtë obligim. Përsa i përket rajonit, në këtë pyetje mesatarja shkon në 17 për qind, ndërsa për Shqipërinë është 19 për qind.
Në lidhje me rastet e ndërhyrjes nga jashtë familjes në rast dhune, 62 për qind e grave të anketuara të Kosovës kanë thënë se të tjerët duhet të ndërhyjnë, ndërsa në Shqipëri ky numër është 56 për qind dhe mesatarja e rajonit kap normën 48 për qind.
Përgjigje negative në ndërhrjen nga jashtë më së shumti kanë dhënë gratë nga Moldavia, ku vetëm 41 për qind kanë thënë se palët e treta duhet të ndërhyjnë. Forma më e përhapur e dhunës është ajo psikologjike nga partneri intim.
Sipas raportit, shumë gra arrijnë në përfundimin se dhuna familjare duhet të jetë çështje private.
Të dhënat nga anketimi tregojnë, se besimi në nënshtrimin e gruas dhe heshtja e rrethit, vazhdon të dominojë në rajon dhe se gratë me besime të tilla janë viktimat më të shpeshta
Sipas të dhënave nuk ka asnjë grup social të grave që është i përjashtuar nga mundësia e përjetimit të dhunës mirëpo disa grupe janë më të rrezikuara, këtu bëjne pjesë gratë që jetojnë në varfëri, varësi ekonomike dhe gratë me fëmijë.
Raportin e plotë në anglisht mund ta lexoni këtu.
Burimi: DW