“One Billion Rising” mbërrin në Prishtinë
Koalicioni i organizatave dhe individëve “One Billion Rising”, ka ftuar të shtunën të gjithë qytetarët e Kosovës që të jenë të pranishëm nga ora 14:00 para Teatrit Kombëtar, ku do të zhvillohet një aktivitet i cili ka për qëllim përkrahjen e grave ndaj të cilave është ushtruar dhunë.
Në shkurt të vitit 2013, një miliard gra dhe burra tronditën tokën përmes vallëzimit për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në fushatën e quajtur One Billion Rising (Një Miliard në Këmbë).
Edhe këtë vit, më 14 shkurt 2015, në gjithë botën organizohet One Billion Rising, si protestë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Kësaj fushate i është bashkuar dhe Kosova me organizimin e një marshimi të shtunën, me 14 shkurt, në ora 14:00, nga sheshi Skënderbeu deri tek platoja afër Hotelit Grand, në Prishtinë.
“Bashkohuni me ne, në marshimin me muzikë përmes daulleve, defave dhe darabukave për t’i thënë MJAFT DHUNËS!” shkruhet në ftesën e shpërndarë në rrjetet sociale.