“Nuset” adoleshente të Gjeorgjisë
Megi, 16 vjeçare, sikurse çdo vajzë tjetër e moshës së saj duket e dashuruar teksa përqafon një djalosh, duke i buzëqeshur dhe pëshpëritur në vesh. Samaia, një vit më e madhe në moshë se Megi, ka sy kureshtarë dhe duket se së shpejti do kthehet në shtëpi për të përfunduar detyrat e shkollës.
Por këto adoleshente janë vetëm dy prej nëntë vajzave, jetët e të cilave ka portretizuar fotoreporterja Myriam Meloni gjatë udhëtimit të saj në Gjeorgji. Ato bëjnë jetën e dyfishtë: atë të adoleshentes dhe në të njëjtën kohë të një gruajë të martuar. Ky fenomen përbën 17% të femrave gjeorgjiane që martohen përpara moshës tetëmbëdhjetë vjeçare.
Edhe pse martesa në moshë të re historikisht është asociuar me traditat e ngurtësuara shoqërore, në Gjeorgji kjo lloj praktike është shtuar dramatikisht përgjatë periudhës së luftës dhe paqëndrueshmërisë ekonomike që mbërtheu vendin pas rënies së regjimit sovjetik. Në zonat rurale të Gjeorgjisë, një vend i cili mban rekorde për numrin e madh të martesave të hershme, nuset e reja në jo pak raste rrëmbehen, një praktikë e cila ishte e ndaluar gjatë regjimit sovjetik dhe mbi të gjitha është e dënueshme me burgim që pas vitit 2004.
Fjongot e kuqe ose rozë u kthyen në simbolikën e një shtëpie, ku një nuse e re ka ardhur duke u bërë pjesë e asaj familjeje. Në moshën 16 vjeçare, Samia u fejua më një djalë 25 vjeçar, me të cilin nuk kishte shkëmbyer më parë asnjë fjalë dhe e kishte parë vetëm një herë në rrugë. Në një foto nga dasma e saj duket Samia përkrahë një vajze tjetër të vogël, e zbukuruar me tualet të rënduar si për të fshehur moshën e saj të njomë. Kur e pyesin se çfarë mendon për dhëndrin e saj, Samia përsërit atë cfarë familja e ka udhëzuar të thotë: “Ai është një djalë i sjellshëm dhe vjen nga një familje shumë e mirë”.
Meloni, teksa fotografon këto vajza e kupton se ato flasin pak kur vjen puna tek bashkëshorti i tyre, pasi as nuk i njohin këta të fundit. Leja për t’i fotografuar këto vajza dhe për të treguar historitë e tyre nuk ishte e lehtë, pasi duhet të kalonte miratimin fillimisht nga familja e dhëndrit, pastaj nga dhëndri e së fundmi nga vetë këto vajza. Shumë prej këty fotografive tregojnë shikimin depërtues të këtyre nuseve të reja, një shikim meditues mbi një jetë të cilën ato nuk e patën kurrë.
Foto: Myriam Meloni | The New Yorker
Si pjesë e përpjekjeve të saj për të përqafuar standardet evropiane, Gjeorgjia ka shfuqizuar një dispozitë ligjore, e cila lejonte martesën me miratimin prindëror në moshën 16 vjeçare. Vitin pasues u shfuqizua një tjetër dispozitë ligjore e cila aprovonte martesat e hershme me miratim të gjykatës. Shumë martesa të tjera të hershme mbeten jo-zyrtare dhe ndodhin në komunitetet fetare dhe etnike si: myslimane, çeçene, azeriane etj. Përpos ndryshimeve legjislative, kësaj lloj praktike duket se nuk po i vjen fundi. Autoritetet lokale mbeten ngurrues për të ndërhyrë në çështje familjare.
Gjeorgjia mandaton shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve deri në klasën e dymbëdhjetë, por disa familje nuk e shohin te logjikshem edukimin e një vajze, e cila së shpejti do të martohet dhe do t’i japë jetë shumë fëmijëve.
Disa vajza ende ndjekin ambiciet e tyre. Ia, e cila vjen nga krahina e Imeretit, u martua me dëshirë në moshën 17 vjeçare pavarësisht kundërshtimeve të mamasë së saj, si rezultat i dashurisë së madhe për bashkëshortin e saj. Në ndryshim nga shumë prej nuseve të reja, Ia ndjek studimet me mbështetjen e vjehrrës për të ushtruar në të ardhmen profesionin e farmacistes. /k.m/
Foto: Myriam Meloni | The New Yorker
Burimi: The New Yorker